Presioni ndaj gazetarëve, kufizimi i lirisë së shprehjes dhe mungesa e pluralizmit në mediume janë vetëm një pjesë e vërejtjeve të konstatuara nga njeriu i parë i Federatës evropiane të gazetarëve, Rikardo Gutirez. Në takimin me zëvendëskryeministrin Fatmir Besimi dhe ministrin e shoqërisë informatike, Ivo Ivanovski, Gutirez është interesuar edhe për ligjin e mediumeve dhe për proceset gjyqësore kundër gazetarëve.
"Vërejmë raporte që tregojnë se liria e shprehjes shënon ulje. Për këtë gjendje pajtohen shumë organizata, BE, Departamenti i shtetit dhe organizata joqeveritare. Raportet për lirinë e mediumeve në rajon, tregojnë se gjendja po përmirësohet në Serbi dhe Kroaci, por në Maqedoni po përkeqësohet. Qeveria mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës me ndërprerjen e proceseve gjyqësore dhe arrestimeve", deklaroi Rikardo Gutirez, kryetar i Federatës evropiane të gazetarëve.
Si brengosës për të ka qenë rasti i arrestimit të gazetarit Tomisllav Kezharovski
"Zëvendëskryeministrit Besimi dhe ministrit Ivanovski u thashë se në Evropë për këto akuza nuk guxohet të gjykohet ndonjë gazetarë. Në Evropë nuk ka gazetarë të burgosur për akuza të këtilla", tha Rikardo Gutirez, kryetar i Federatës evropiane të gazetarëve.
Ligji për mediume ka qenë një nga temat kryesore mes Ivanoskit dhe Gutirez. Sipas Gutirez, Ivanovski është pajtuar që sërish të bisedojë me përfaqësuesit e gazetarëve lidhur me pikat kontestuese të propozim-ligjit për mediume.
"Biseda nuk ishte e lehtë, por në fund ai pranoi se ende ekziston hapësirë për përmirësimin e ligjit për mediume. I thashë se ligji për mediume nuk duhet të jetë kundër gazetarëve, por duhet t'i përfshijë gazetarët në vetë përgatitjen e ligjeve", u shpreh Rikardo Gutirez, kryetar i Federatës evropiane të gazetarëve.
Përfaqësuesi i Federatës më të madhe evropiane të gazetarëve po qëndron për vizitë dyditore në Maqedoni. Vizita e tij bëhet me ftesë të SHGM-së dhe Sindikatës së gazetarëve dhe punonjësve në mediume. Petar Bllazhevski