Rasti i 21 nëntorit 2012 ku në bregun e lumit Mat janë gjetur fuçi me lëndë toksike, është hetuar nga prokurori Elvin Gogaj dhe Shahin Pasha, të cilët kanë arritur të zbulojnë të gjithë dinamikën e kësaj ngjarje si dhe dy personat që kanë hedhur dhe më pas kanë tentuar ta mbulojnë me eskavator lëndën kimike. Gjatë hetimeve, prokuroria ka zbuluar se lënda kimike është marrë nga të pandehurit në uzinën e Rubikut por për shkak të erës së rëndë, ata kanë vendosur ta hedhin në bregun e lumit Mat.
Ndërkohë që për të mbuluar krimin kishin folur disa ditë më parë me shtetasin Renato Meta, që punon si eksavatorist që të shkonte të groposte fuçitë me lëndë helmuese. Zbulimi i rastit Ka qënë Renato Meta, djali i një efektivi policie që ka denoncuar rastin e hedhjes së fuçive me helm. Meta, ditën e ngjarjes punonte me eskavator në shtratin e lumit Mat, kur pranë tij është paraqitur shtetasi Dritan Lami, duke i kërkuar që me mjetin e tij të shkonte dhe të groposte disa fuçi me lëndë kimike. Kërkesës së Lamit, i ka dhënë "ok" Renato Meta, mirëpo kur ky i fundit ka shkuar me eskavatorin e tij afër vendit ku ishin hedhur fuçitë, ai nuk ka mundur të hedhë asnjë kovë me zhavor mbi to.
Kjo për shkak se e gjithë zona qelbej erë të rëndë dhe nëse afrohej shumë apo të rije gjatë, lënda kimike e hedhur në breg të lumit sillte probleme me frymarjen dhe shikimin. Nisur nga këto kushte Renato Meta, ka telefonuar shtetasin Kolec Meta, babain e tij që punon si polic pranë komunës Fushë-Kuqe. Kolec Meta më pas ka njoftuar komisariatin e policisë Kurbin, gjë që ka shërbyer si sinjal për marrjes e masave të menjëhershme, duke sjellë dhe shmangin e katastrofës ekologjike.