Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Jashtme është 23 %. Kështu pohoi sot kreu i këtij dikasteri Nikolla Popovski i cili ndonëse u pyet në mënyrë direkte nga deputetja e BDI-së Ermira Mehemti edhe për përfaqësimin në përfaqësitë diplomatik-konsullore, iu shmang përgjigjes duke theksuar se kuadrot që përfaqësojnë vendin, qoftë brenda apo jashtë, duhet më parë të realizojnë sa më mirë qëllimet që i kemi vënë vetes, anëtarësimin në BE dhe NATO. Në këtë mënyrë, ai la të kuptonte se nevojiten kuadro të përgatitur dhe jo shifra, apo ndoshta faktin se nga shqiptarët nuk ka kuadro të përgatitur në mënyrë të mjaftueshme.
"Dëshiroj të di se si Ministria e Jashtme po zbaton parimin kushtetues por po ashtu edhe parimin apo dispozitën ligjore të cilën e miratuam në ndryshimet e fundit të ligjit për punë të jashtme në përfaqësitë diplomatike- konsullore, jo vetëm në nivel të ambasadorëve, kur flas për përfaqësimin e drejtë në përfaqësitë diplomatike-konsullore, e kam fjalën edhe për të gjitha postet apo pozicionet e tjera përpos ambasadorit si individ", pyeti Ermira Mehemti, BDI.
"Kishte pyetje rreth përfaqësimit, supozoj se kishte të bënte me bashkësinë etnike shqiptare e cila në Ministrin e Jashtme është afro 23 %. Por do t'u them se elementi më i rëndësishëm, bëhet fjalë për kuadro në shtet apo jashtë, duhet të jetë sa më i mirë për të realizuar qëllimet që i kemi vënë vetes, pasi kemi qëllim të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s, duhet të zhvillojmë politikë që të na mundësojë, ose t'u mundësojë atyre që janë më të aftë, të kryejnë me sukses punë të caktuara", tha Nikolla Poposki, ministër i jashtëm.
Nga ana tjetër deputeti opozitar Igor Ivanovski pyeti ministrin Poposki rreth fushatës diplomatike të kreut të BDI-së mbi çështjen e emrit.
"Si e vlerësoni aktivitetin e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, si dhe aktivitetet e tij dhe të BDI-së gjatë vizitave që ishin mjaftë të shpeshta në shumë qytete dhe shtete mike të Maqedonisë", pyeti Igor Ivanovski, LSDM.
"Konstatim ynë i përgjithshëm është se cilido qoftë që mund të ndihmojë në afirmimin e logjikës që Maqedonia duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së është i mirëpritur", u përgjigj Nikolla Poposki, ministër i jashtëm.
Ndërkohë deputeti Antonio Milloshoski dhe Liljana Popovska shprehën shqetësimin e tyre rreth mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë. Me këtë rast ministri Poposki u shpreh se dikasteri që ai drejton, po vëzhgon situatën me mjaft vëmendje dhe se pritet të realizoj edhe një bisedë telefonike me homologun e tij shqiptar. Bedri Rexhallari