Në Shkollën fillore 'Kongresi i Manastirit' në Komunën e Çairit kanë përfunduar punimet dhe pritet së shpejti të lëshohet në përdorim. Por, pamja përfundimtare që ka marrë shkolla, ka shqetësuar disa prej prindërve, për faktin se pjesa e pasme e saj ka marrë kulmin e shtrembër. I kontaktuar nga Alsat M, drejtori i shkollës Faik Xhoni nuk deshi të flasë para kamerave, por në bisedë telefonike tha se punimet kanë shkuar sipas planit dhe nuk ka asnjë devijim nga projekti. Edhe kompania e cila ka kryer punimet "Fexho Kompani" nga Tetova thotë se i janë përmbajtur projektit dhe e kanë realizuar me përpikëri. Projektuesi, nga ana tjetër, formën e tillë të çatisë së shkollës e shpjego si atraksion infrastrukturor, e cila në gjeometri quhet "prerje në hapësirë".
"Sipas projektit ajo është një figurë në hapësirë që e pret më një sipërfaqe. Ajo është forma gjeometrike dhe e pret sipërfaqja", deklaroi Sefer Azemi, Interprojekt. Se si duket kjo figurë gjeometrike shihet nga pamjet që filmoi sot ekipi i televizionit Alsat. Ndërkohë shkolla e tillë ka kaluar edhe inspektimet e Ministrisë së Arsimit, prej ku thonë se nuk kanë regjistruar devijime dhe mangësi në realizimin e projektit. Ministria e Arsimit ka dhënë leje për përurimin e shkollës dhe pritet që shkolla të hapet deri në fund të këtij muaji. Për ndërtimin e kësaj shkolle janë ndarë rreth 2 milion euro, ndërsa punimet kanë filluar që nga viti 2009. Shkolla pritet të hap dyert për rreth 800 nxënës të cilët do të shfrytëzojnë rreth 30 klasa. Benjamin Arifi