Trupi gjykues i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg hodhi poshtë edhe shpresën e fundit të Jaho Salihit dhe Ismet Haxhisë për të fituar lirinë. Vendimi i gjyqtarëve evropianë ka qenë i prerë: procedurat penale, që çuan në dënimin e oficerëve të rangut të lartë të policisë shqiptare për përfshirje në vrasjen e një politikani ishin të drejta.
Gjykimi i çështjeve nr. 29861/03 Haxhia kundër Shqipërisë dhe 29864/03 Mulosmani kundër Shqipërisë nuk është përfundimtar, pasi mund të apelohet pranë Dhomës së Madhe të Strasburgut. Por, duket se ka qenë unanim në rastin e Jaho Salihit dhe me shumicë votash në rastin e Haxhisë, raporton sekretaria e Gjykatës.
Përfundimi i trupit gjykyes ka qenë se nuk është konstatuar shkelje e neneve 6 paragrafi 1 dhe 3 (a) deri (d) -- e drejta për një gjykim të drejtë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, Gjykata e konsideroi si të papranueshëm ankesën e dy aplikuesve për shkelje të Nenit 6 paragrafi 2 (prezumimi i pafajësisë).
Comments