Analistët: Tentimi për bashkëpunim PDSH - RDK, jo i sinqertë

  • 9 years ago
Dështimi i bashkimit të opozitës shqiptare erdhi pasi dyja palët, PDSH-ja dhe RDK-ja nuk u qasën me sinqeritet në këtë temë. Kështu vlerësojnë analistët Alajdin Demiri dhe Ismet Ramadani. Demiri madje vlerëson se PDSH-ja e Thaçit as që kishte për qëllim të realizojë një bashkëpunim të tillë. Demiri thotë se ky bashkëpunim nuk mund të funksionojë për shkak të urrejtjes dhe ofendimeve mes dy liderëve Osmani dhe Thaçi.

"Në të vërtetë nevoja për një shkrirje, ose bashkim të dy partive ose koalicionim me parametra të ndryshëm është më se e domosdoshme, por mënyra se si funksionojnë këto dy partitë me liderë në njërën anë Rufi Osmani, në anën tjetër Menduh Thaçi, është e pamundur që këto dy parti të bashkëpunojnë, për arsye se kanë një kapital, një bagazh të madh të urrejtjes dhe ofendimeve. E kemi parasysh se ky bashkëpunim u prish ende pa filluar, gjithë kjo zhurmë në vete fsheh faktin se çka ndodhi në Strugë dhe si u zgjodh kryesuesi i Këshillit", tha Alajdin Demiri, analist.

Analisti Ismet Ramadani thekson se një bashkëpunim i tillë mund të realizohet vetëm duke respektuar dinjitetin dhe forcën politike të partisë tjetër, dhe jo me një qasje megalomane.

"Qasja është pak megalomane nga PDSH-ja, për të tentuar për të shkrirë një subjekt tjetër, sepse në jetën politike, subjektet e vogla politike gjithmonë luftojnë për tu bërë nesër një subjekt më i madh politik, ndërsa anasjelltas një subjekt më i madh partiak mund të bëhet i vogël. Pra duhet që në fillim të ketë sinqeritet dhe të respektohet subjektiviteti dhe dinjiteti i atyre të cilët janë të organizuar politikisht në parti politike. Prandaj është qasja e gabuar, se përndryshe nuk ka asgjë të keqe", deklaroi Ismet Ramadani, analist.

Ramadani dhe Demiri theksojnë se një bashkëpunim i tillë mes dy partive opozitare shqiptare është mëse i nevojshëm dhe në shërbim të demokracisë në vend. Megjithatë, duke u bazuar në përvojën paraprake sa u përket marrëdhënieve mes dy liderëve, ata janë skeptikë se mund të ndodh një bashkëpunim mes këtyre dy subjekteve. Nga partia e Thaçit ofruan që RDK-ja e Osmanit të shkrihet në PDSH, ndërsa një gjë e tillë u hodh poshtë nga RDK-ja të cilët propozuan bashkëpunim në modelin e PS-LSI --së në Shqipëri. Benjamin Arifi

Recommended