U hap tenderi për riparimin e aksit hekurudhor Kumanovë-Beljakovcë, pjesë e Korridorit 8, me gjithsej 8 firma konkurruese. Nga gjithsej 16 firma të interesuara, në fazën përfundimtare ngelën 8 firma, prej të cilave dy janë greke, dy austriake, një firmë gjermane, një kineze, një turke, dhe një çeke. Autoritetet u mburrën, duke thënë se për herë të parë në një tender, merr pjesë një numër kaq i madh kompanish të interesuara. Ofertën më të lirë e ka ofruar deri tani firma gjermane me emrin " Vibe" e cila synon ta realizojë aksin me një kosto prej 41, 5 milion eurosh. Ndërsa oferta më e shtrenjtë ka ardhur nga kompania turke "Axhili", 58 milion euro. Përzgjedhja e firmës fituese të tenderit do të bëhet gjatë fundit të vitit, kur do të nënshkruhet edhe kontrata e punës. Punimet pritet të fillojnë në mars të vitit të ardhshëm. Në riparimin e aksit hekurudhor përfshihet vendosja e shinave dhe pragjeve të reja, vendosja e 8 urave të reja si dhe stacioneve për rregullim të komunikacionit. Ky rinovim do të bëjë të mundur që trenat të lëvizin me një shpejtësi deri 120 km/orë. Projekti financohet nga Banka Evropiane për Zhvillim, me vlerë prej 45.5 milion eurosh. Ndërkaq, në periudhën e ardhme pritet që të shpallet tender edhe për dy akse të tjera hekurudhore të korridorit të 8 që lidhin Maqedoninë me Bullgarinë, konkretisht ai Beljakovcë-Kriva Pallankë dhe Kriva Pallankë-Deve Bair. Ferikan Iljazi
Comments