Ligji për kundërvajtje, opozita kundërshton lartësinë e gjobave

  • 9 years ago
Qëndrime diametralisht të kundërta mes mazhorancës dhe opozitës rreth Ligjit për kundërvajtje. Opozita ishte tejet e zëshme kundër ndryshimeve në këtë ligj nën pretekstin se gjobat që parashihen nuk korrespondojnë fare me standardin jetësor të qytetarëve. Deputetët opozitarë madje theksuan se më mirë është që qytetarët të ndiqen për vepra penale se sa për shkelje kundërvajtëse, andaj edhe kërkuan tërheqjen e tij.

"Qeveria është në situatë të vështirë, sepse arka është e zbrazur dhe duhet të mbushet nga xhepi i qytetarëve, të tregtarëve dhe të gjithë atyre që nuk janë në pushtet dhe automatikisht janë shkelës të ligjit dhe duhet të paguajnë gjoba për mbushjen e buxhetit", tha Divna Jovkovska-Eftimoska, LSDM

"Mbase do të ishte më e arsyeshme që ky ligj të hiqet nga procedura parlamentare duke bërë që të harmonizohet vlera e gjobave dhe dënimeve me rrethanat socio-ekonomike", u shpreh Naxhi Xhelili, RDK

"Krijohet përshtypja se me këtë ligj nuk mbahet llogari për kryerësit e veprës kundërvajtëse, por mbahet llogari për shumën që do të hyjë buxhetin e RM-së" , tha Erdogan Saraç, deputet.

Ndryshe nga opozita, deputetët e shumicës parlamentare thanë se janë të vetëdijshëm për gjobat e larta që parasheh ligji, por lanë hapësirë që kjo të mund të përmirësohet përmes amendamenteve gjatë leximit të dytë.

"Ajo që është e mirë në këtë ligj ta përshëndesim, por edhe ta plotësojmë përmes amendamenteve dhe bashkë të konstatojmë se disa zgjidhje që përfshihen në ligj mund të jenë më të mira, hajde atë ta bëjmë", u shpreh Sillvana Boneva, VMRO-DPMNE.

"Qëndrimi i BDI-së është shumë i qartë se ne do ta mbështesim këtë ligj. Vërejtjet kryesore që iu bën ligjit kishin të bënin me gjobat dhe të gjithë ne këtu jemi të vetëdijshëm se gjobat janë të larta, mirëpo vlerësojmë se ka hapësirë për ta tejkaluar këtë situatë që të intervenohet me amendamente, dhe gjobat që shihen në ligjin për kundërvajtje të vihen në një nivel që do tu përgjigjen rrethanave të RM-së", deklaroi Suzana Saliu, BDI.

Kohë më parë propozim ligji në fjalë ishte në debat publik, ku shumë profesorë eminent të fushës dhanë mendimet e tyre. Disa përshëndetën projekt ligjin por numri më i madh ishin kritik, sepse shumat marramendëse i cilësuan si barrë shumë të rëndë për qytetarët. Ligji madje parasheh gjoba për personat juridik në shumë prej 20 -- 30 milion euro. Bedri RExhallari

Recommended