Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme Kethrin Eshton u bëri thirrje dy kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Gruevski dhe Samaras, që sipas shembullit të Kosovës dhe Serbisë të kapërcejnë problemin dy dekadësh mes dy vendeve. Eshton tha se "Zgjidhja varet vetëm nga vullneti i palëve, të cilët duhet të ulen në tryezë dhe të arrijnë kompromisin duke vendosur para vetes një qëllim më madhor. Ndërkaq qëllimi më madhor do të thotë se çfarë mund të bëni për popullin tuaj", ka theksuar Eshton.
Nga ana tjetër, sipas zëdhënësit të Komisionerit euorpian për zgjerim, Peter Stano zvarritja e problemit të emrit me Greqinë shkakton një situatë të paqëndrueshme i cili duhet të marr fund. Ai në një deklaratë për Radio Evropën e Lirë është shprehur se përpjekjet e fundit të zyrtarëve të lartë evropian nuk paraqesin as angazhimin e parë dhe as të fundit të tyre për të ndihmuar procesin e zgjidhjes së emrit.
Çështja e emrit zë vend kryesor edhe në takimet e sotme të kryetarit të BDI-së, ALi Ahmeti në Bruksel ku ka realizuar takime me ish përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Ballkan, Piter Fejt ndërsa ka mbajtur edhe një fjalim në qendrën për studime strategjike evropiane në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Siç njoftojnë nga partia e Ahmetit të gjitha pjesëmarrësit kanë shfaqur interesim për pikëpamjet e kreut të BDI-së për çështjen e emrit. Ahmeti pas dite takon komisionarin për zgjerim të BE-së, Fyle dhe këshilltarët politik të presidentit të BE-së, Rompuj.
Ndërkohë, deputet e Parlamentit Evropian, përfaqësues të nismës 'Miqtë e Maqedonisë' gjatë vizitës së tyre në Shkup, theksuan se megjithëse BE-ja nuk posedon mekanizëm që do të detyronte Greqinë që të heq dorë nga bllokada integrimeve të vendit, prapë se prapë do t'i bëjnë presion Greqisë gjatë kryesimit të saj me Union që të arsyetojë pengimin e zgjerimit të BE-së si dhe mos respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
"Ne do t'i ngremë disa çështje se përse po pengojnë zgjerimin e BE-së dhe çfarë do të bëjnë me aktvendimin e GJND-së rreth çështjes së emrit, akoma nuk kanë reaguar. Mendoj se këto çështje janë legjitime dhe ne si miqtë të Maqedonisë jemi të gatshëm që t'i ngremë", u shpreh Tune Kelam, deputet i PE-së.
"Kur Greqia të marrë kryesimin e BE-së, ata duhet të përgjigjen për dimension evropian të Maqedonisë,sepse këtë do e presin të gjitha shtetet anëtare dhe kjo do të paraqet presion ndaj qeverisë greke që të reagojë, sepse nuk përputhet me vlerat evropiane që dikush të mos reagojë, prandaj është turp kjo që ndodh me Maqedoninë", tha Martin Kesler, deputet i PE-së.
Në prag të publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian, edhe përfaqësues të tjerë të nismës 'Miqtë e Maqedonisë' pritet të mbërrijnë në Shkup për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj procesit integrues të vendit. Semra Jakupi
Comments