EVN, dënimi i parë me burg për vjedhje të energjisë

  • 9 years ago
Shqiptohet dënimi i parë me burg për vjedhjen e rrymës. Një banor nga Shkupi, i cili në mënyrë të paligjshme kishte lidhur rrymën në rrjetin e EVN-së u dënua me 1 vjet burg. Gjykata e Apelit e dënoi me dënim efektiv burgim me çka e ndryshoi dënimin me kusht të cilin paraprakisht ia ka kishte shqiptuar Gjykata penale në Shkup. Ky është shqiptimi i parë i një dënimi të këtillë nga autoritetet gjyqësore, pas hyrjes në fuqi të dispozitës me të cilën vjedhja e rrymës konsiderohet vepër penale. Dispozita e këtillë ishte miratuar në fillim të këtij viti.

"EVN Maqedonia së bashku me policinë dhe ekspertët gjyqësorë do të vazhdojë të luftojë kundër vjedhësve të energjisë elektrike, të cilët në mënyrë të paautorizuar vjedhin energjinë elektrike ose manipulojnë me aparatet matëse. Duhet cekur se vjedhja e energjisë elektrike nuk dëmton vetëm EVN-në por edhe shtetin, meqë energjia e shpenzuar elektrike mbetet e pafaturuar, gjegjësisht e vjedhur. Po ashtu, shfrytëzimi i paautorizuar i energjisë elektrike nuk ka vetëm pasoja juridike, por drejtpërdrejt e cenon jetën dhe shëndetin e njerëzve. Të shpeshta janë rastet e zjarrit, ndërsa e dimë se në raste të tilla pasojat janë edhe më të mëdha", tha Vlera Gjakova, EVN.

Epilog i ngjashëm pritet edhe për disa raste tjera në të cilat është regjistruar vjedhje e rrymës. Ligjet parashikojnë se dënimi me burg mund të jetë edhe deri në pesë vjet, ndërsa në mënyrë plotësuese shqiptohen edhe gjoba të cilat mund të jenë edhe deri në 20 mijë euro. Për gjashtë muajt e parë EVN Maqedonia u ka dërguar përllogaritje për shfrytëzim të paautorizuar të rrymës 880 shfrytëzuesve. Ata kanë fituar edhe kallëzime penale. Sipas të dhënave, 144 shfrytëzues i kanë manipuluar matësit, 341 drejtpërdrejt kanë vjedhur energji elektrike, 133 me vetë dëshirë janë lidhur pasi që paraprakisht për shkak të borxhit kanë qenë të shkyçur, ndërsa te 262 shfrytëzues janë gjetur matës të paparaqitur. Dëmi nga këto vjedhje në gjashtë muajt e parë arrijnë 124 milionë denarë, ndërsa vjedhësit kanë harxhuar 17, 5 milionë KWh energji elektrike. Për përqindjen e TVSH-së që nuk arkëtohet në energjinë e pafaturuar është dëmtuar shteti, ndërsa vjedhësit problem më të madh shkaktojnë në sistemin shpërndarës dhe te shfrytëzuesit tjerë. Natasha Stojanovska

Recommended