Tahiri: Garda do të shkrihet totalisht, 21 Janari s'arkivohet

  • 9 years ago
TIRANE- Pas 85 vjetësh, Garda e Republikës do të shkrihet, nuk do të ekzistojë më si e tillë dhe do të reformohet tërësisht brenda 100 ditëve. Procesin e reformimit të saj do ta drejtojë Gramoz Sako, i cili është komanduar nga Ministria e Brendshme për të përballuar reformat. Po ashtu, për ta larguar nga drejtimi politik e kthyer në një institucion buxhetor, Garda nuk do të varet më nga Ministria e Brendshme, por nga Policia e Shtetit.

Fakti u bë i ditur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri sot në takimin me drejtuesit e Gardës. Në fjalën e mbajtur para mediave, Tahiri tha se ngjarja e 21 janarit nuk do të arkivohet.

"Nuk besoj se ekziston ndokush që e fsheh peshën dot përgjegjësinë që rri mbi Gardën e Republikës që prej ngjarjeve të 21 Janarit dhe procesit gjyqësor që e pasoi. Shumica dërrmuese e Gardës së Republikës ështe ndjerë e ngarkuar padrejtësisht me një barrë të përgjegjësisë publike jo të vogël. Them se veprimet e disave për të mbajtur të pameritur mbi vete institucionin, mbi efektivat e ndershëm të institucionit, ka dhe një pjesë jo të vogël, që edhe pse drejtësia nuk është vënë në vend për vrasjet e 21 Janarit, nuk i shmanget dot peshës së fajit, drejtësisë dhe përgjegjësisë sipas ligjit. Kjo vlen për atë pakicë që 21 Janarin e ktheu në masakër, por edhe për atë pakicë që procesin gjyqësor e ktheu në tifozllëk.

Sot fillon procesi i reformës më themelore në këtë institucion. Ndoshta më i rëndësishmi në 85 vitet e ekzistencës së tij. Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë dhe brenda 100 ditëve do të ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit, për t'i dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes të Personaliteve dhe Objekteve të rëndësisë së veçantë.

Procesin e reformimit dhe modernizimit do ta udhëheqë z.Gramoz Sako, të cilin e kam komanduar me përgjegjësinë për të përballur sfidat e reformimit të këtij institucioni sëbashku me ju,"- theksoi ministri.

Recommended