Prokurorisë i mungojnë provat për 'Monstrën'?!

  • 9 years ago
Është anuluar seanca e sotme procesit gjyqësor Monstra, për shkak të vërtetimit të lidhjeve familjare mes njërit prej gjykatësve dhe njërit prej avokatëve i cili është angazhuar së fundmi. Deri në seancën e ardhshme e cila është caktuar për 16 tetor, Gjykata duhet të zëvendësojë gjykatësin. Avokati Naser Raufi thotë se Prokuroria vazhdon të mos ketë prova të mjaftueshme për të dëshmuar akuzën. Kjo sipas tij ka bërë që edhe në paralajmërimin për seancën e sotme të ketë huti sa i përket rrjedhës së diskutimit, ndërsa nuk ka as përgjigje për provat dhe kërkesat e palës mbrojtëse, përfshirë këtu edhe kërkesën për hulumtimin nga afër të veturës Opel Omega, për të cilën prokuroria pretendon se u përket të akuzuarve.

"Nuk kishte plan për dinamikën, nuk kishin paralajmërime se çfarë do të punohet në ditën e sotme. Sipas meje prokuroria nuk ka prova, as direkte as indirekte, por nuk ka pasur as deri tani. Sa i përket provave që ne i kemi propozuar, deri tani nuk kemi përgjigje, është puna status kuo, nuk përgjigjen. Për shembull për atë që propozuam disa herë, që të shohim veturën Opel Omega. Neve na lejuan që të shihet, por pas deklaratës së një dëshmitarit u ndërrua ajo situatë dhe u ndalua që si provë të realizohet, që për mua është e pakuptueshme", deklaroi Naser Raufi, avokat.

Pretendohet se gjatë ekspertizës së veturës Opel Omega në të është gjetur ADN-ja e të akuzuarit Alil Demiri. Por dyshime mbi veturën e tipit Opel, muaj më parë hodhi Dime Veskov, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Idrizovës. Ai kishte thënë se vetura Opel Omega u përket njësitit special policor "Alfa", dhe është vetura e njëjtë me të cilën ai ishte arrestuar. Më 27 gusht të këtij viti policia ka arrestuar edhe një tjetër të dyshuar për rastin Monstra, Sami Luta, i cili akuzohet për mbështetje logjistike për kryerjen e aktit. 5 nga 7 të akuzuarit mbeten në paraburgim në Idrizovë, ndërsa Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq nuk do të ekstradohen nga Kosova deri sa të vuajnë dënimin në Prishtinë për armëmbajtje pa leje. Benjamin Arifi

Recommended