Llalla dërgon në Vlorë Belurin: Do ndëshkohen ndërtuesit pa leje

  • 9 years ago
VLORE - Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Lalla ka shkuar sot në Vlorë për të prezantuar kreun e ri të kësaj prokurorie ndërsa përcolli mesazhin se do të hetohen të gjithë ata që kryen ndërtime pa leje në qytetin bregdetar.

Llalla mbërriti në Vlorë rreth orës 13:00 dhe takimi u zhvilua pa praninë e medias.

Kosta Beluri, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme nga sot do të ulet në postin e Dorian Tafilit, i cili ishte i komanduar në këtë detyrë. Tafili do të jetë prokuror i thjeshtë në këtë prokurori.

"Të gjithë ato që kanë ndërtuar pa leje do të hetohen. Do të ndiqen penalisht dhe të gjithë inspektorët që kanë lejuar ndërtimet pa leje"- tha Llalla për median.

Kryeprokurori është pyetur dhe në lidhje me masat që do të ndërmerren për Lazaratin. Ky i fundit është përgjigjur se vazhdojnë hetimet. Lidhur me situatën e krimeve që kanë ndodhur kohët e fundit Llalla tha se "Të gjithë autorët do të vihen para përgjegjësisë".

"Erdhëm për të prezantuar drejtuesin e ri të Prokurorisë në Vlorë. Ish-drejtuesi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me synimin që në Prokurorinë e Vlorës të sjellim drejtues me eksperiencë. Që në Prokurori të jepet një implus i ri ndaj veprave të rënda penale, iniciativa jonë e fundit për hetimin e veprave për ndërtimet pa leje.

Ky është një interes i vazhdueshëm i këtij fenomeni tepër shqetësues në Vlorë. Përgjegjësia nuk është vetëm e personave që ndërtojnë pa leje, por edhe e zyrtarëve lokalë që kanë lejuar ndërtimin e objekteve jo të ligjshme. Lazaratin, si edhe mjaft raste të tjera në proces hetimi. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Prokuroria do hetojë të gjitha veprat penale të pazbardhura", tha Kryeprokurori Adriatik Llalla.

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje ka nisur prej ditësh në qytetin e Vlorës, ndërkohë që vetë Llalla pak ditë më parë firmosi një qarkore ku paralajmërohej se të gjithë përfaqësuesit e organeve kompetente, që nuk denoncojnë apo nuk marrin masa ndaj ndërtimeve pa leje, do të nisnin hetimet.

Recommended