Shqipja në autobusë, drejtori shpërfill Sekretariatin për implementimin e MO-së!

  • 9 years ago
Gati 8 muaj pas alarmimit të situatës nga Televizioni ALSAT-M, Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup vazhdon të anashkaloj përdorimin zyrtar të gjuhës në autobusët urbanë të saj. Pas mos përmbushjes së premtimit dhënë Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit se kjo çështje do të rregullohej deri në muajin mars, sekretari shtetëror, Ejup Alimi sot për të dytën herë me radhë ka kërkuar me shkrim nga NTP-ja të jap përgjigje se pse nuk implementon përdorimin e gjuhës shqipe edhe pse e njëjta garantohet me ligj.

'NTP-Shkup, edhe më tej vazhdon të mos përmbush obligimin ligjor të ndërlidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Autobusët e kësaj ndërmarrje qarkullojnë në komunikacion me mbishkrime vetëm në maqedonisht duke anashkaluar kështu gjuhën shqipe. Drejtori Nikollov ka një vit që ka premtuar se do zbatojë gjuhën shqipe, por një premtim të tillë heziton ta respektoj edhe sot e kësaj dite.'

Ndërkohë, këshilltari i BDI-së në qytetin e Shkupit, Qemal Musliu pranoi se implementimi i gjuhës shqipe po hasë në pengesa nga disa drejtorë të institucioneve. Musliu gjithashtu pranoi se pas zgjedhjeve të fundit lokale relacionet mes këshilltarëve shqiptarë dhe kryetarit Koce Trajanovski nuk janë në nivel dhe që projektet shqiptare po hasin në vesh të shurdhër.

'Ekziston ligji mirëpo ajo që buron nga ai po shihet qartë se nuk po respektohet edhe unë mendojë se kryetari i qytetit duhet tu bëjë presion më të madh drejtorëve përkatës për përdorimin decid të gjuhës shqipe konform ligjit.Bashkëpunimi i grupit të këshilltarëve të BDI-së me kryetarin e qytetit është në nivel mirëpo mund të them se kohën e fundit ka pak zhagitje për realizimin e projekteve për të cilat jemi marrë vesh', tha Qemal Musliu-këshilltarë i BDI-së në Qytetin e Shkupit.

Ndërkohë, Televizioni ALSAT M tentoi sërish sot të merrte prononcim nga drejtori Misho Nikollov, por nga kjo ndërmarrje refuzuan. Kujtojmë se në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, drejtori i NTP-së, Misho Nikollov mund të ndiqet penalisht për këtë shkeljen e ligjit të përdorimit të gjuhëve dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg, bazuar në nenin 138 të Kodit Penal i cili thotë:

Paragrafi 1 - ai që do t'ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës dhe shkrimin, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.

Paragrafi 2 - Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga personi me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.

8 muaj më parë, Lëvizja Qytetare 'ZGJOHU' pati ngritur padi deri tek Prokuroria Publike në Shkup kundër NTP-së dhe drejtuesit të saj, Misho Nikollov për mosrespektim të përdorimit të gjuhës shqipe në këtë institucion dhe autobusët urbanë. Por si duket edhe pas 8 muajve të ngrijes së padisë, edhe Prokuroria Publike hesht! Valmir Kuçi

Recommended