Vollokovijë, kundërshtohet burgu për të mitur

  • 9 years ago
Banorët e fshatit Vollkovijë të komunës së Brvenicës, protestojnë sërish kundër vendimit të qeverisë, gjegjësisht të Ministrisë së Drejtësisë, për ndërtimin e shtëpisë përmirësuese për personat e mitur në hyrje të fshatit të tyre. Me ndërtimin e këtij institucioni vihen në rrezik jo vetëm fëmijët, por edhe prona nga e cila sigurojmë ekzistencën, thonë banorët e fshatit.

"Rrezik është normal që është rrezik për ne, ne kemi edhe bagëti për ti kullot ata do na e marrim rreth 70 dekar tokë kjo normal që na bën dëme".

"Ne nuk duam të ndërtohet aty shkaku se kemi bagëtinë që i kullotim aty, kemi rreth 20 krerë, por mundë të ndodh edhe ata të ikin nga burgu dhe të ketë ndonjë sulm ndaj ndonjë plaku apo dikujt tjetër dhe kjo rrezikon gjendjen e sigurisë. Ne kërkuam takim me Ministrin e drejtësisë, por vetëm na tha se kjo do të shqyrtohet në seancë qeveritare, neve na gëzojnë ndërtimet që bën shteti, por qeveria duhet pak të ketë parasysh edhe interesin e popullatës lokale", deklaroi RuseMihajllovski, kryetar i BL Vollkovijë.

Këtë vendim të tyre e përkrah edhe kreu i Komunës së Brvenicës, i cili edhe pse mban anën e banorëve, shprehet se sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, rrezik për banorët nuk do ketë aspak sepse objekti do ndërtohet me standarde të larta.

"Unë kam kontaktuar direkt me popullatën lokale dhe jam munduar të ua tregoj edhe njërën edhe tjetrën anë, çka janë përfitimet por edhe ndoshta mundë të pengojë te popullata lokale, sepse dihet se është objekt i atij karakteri dhe dihet prej përpara se shtëpitë e tilla kanë qenë të pa mbrojtura dhe pacientët që kanë qenë brenda kanë bë edhe dëme. Është projekt me standarde të larta dhe besoj që këto gjëra nuk do ndodhin, por megjithatë ka opstrukcione", tha Enver Pajaziti.kryetar i Komunës së Brvenicës.

Vendim i Ministrisë së Drejtësisë për ndërtimin e shtëpisë përmirësuese apo dislokimin e saj nga Tetova në Vollkovijë është miratuar që prej tre vitesh, ndërsa vonesa e ndërtimit të saj kanë të bëjnë me kërkesat e banorëve që ky objekt të dislokohet në një vend tjetër dhe jo në hyrje të fshatit. Ndryshe, fshati Vollkovijë ka rreth 80 shtëpi dhe afër treqind banorë të cilët burim kryesor të jetesës e kanë blegtorinë dhe bujqësinë. Bashkim Sulejmani

Recommended