Shkodër, ngujohet familja e efektivit të policisë, Çardaku

  • 9 years ago
Pesë ditë pas atentatit me eksploziv në qendër të qytetit të Shkodrës ndaj efektivit të policisë Kujtim Çardaku, familja e tij tashmë është e ngujuar pasi ndihet e kërcenuar.

Nëna e Kujtimit, Lina Çardaku shprehet se e gjithë familja është e terrorizuar ndërsa edhe 9 fëmijet e kësaj familje nuk i dërgojnë në shkollë për shkak se kanë frikë. Nga ana tjetër Lina i bën apel strukturave të shtetit të zbulojnë autorët e kësaj ngjarjeje.

S'kemi ku të shkojmë. Fëmijët janë të terrorizuar, ne gjithashtu. Të gjithë fëmijët flenë të grumbulluar në një dhomë nga frika. Duam mbrojtje. 9 fëmijët nuk i çojmë as në shkollë, madje nuk i nxjerrim as tek dera"- thotë Lina Çardaku, Nëna e Kujtimit

Edhe vëllai i Kujtimit, Agron Çardaku kërkon nga shteti të zbulojë autorët ndërsa thekson se asnjë përson i familjes Çardaku nuk ka patur konflikte apo probleme me ndonjë përson tjetër dhe e lidh krimin ndaj të vëllait për motive të dëtyrës.

"Ne s'kemi pasur konflikt. Vëllai ka 20 vjet që punon në policia dhe duhet të jetë bërë i keç me ndonjë" - thotë vëllai i tij.

Gjithashtu familjarët e efektivit të policisë Kujtim Çardaku i drejtojnë apel shtetit shqiptar për ndihmë mjekësore për djalin e plagosur pasi ky i fundit ka nevojë për rezerva gjaku si dhe medikamente. Çardaku ndodhet i shtruar në Spital Ushtarak. Mjekët thonë se gjëndja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën por mbetet e rëndë.

Shpërthimi i makinës së tij ndodhi më 16 shtator në qytetin e Shkodrës. Burime nga policia e këtij qyteti bëjnë të ditur se ende nuk kanë identifikuar asnjë autor të shpërthimit, që solli plagosjen e 42-vjecarit. Ndërkaq policia ka shoqëruar pesë persona për shpërthimin në automjetin e ish efektivit të policisë kriminale në metropolin verior, i cili aktualisht punonte si punonjës i policisë rrugore.

Recommended