Presidenti Gjorge Ivanov afirmoi nevojën e përforcimit të lidhjes ekonomike të shteteve të rajonit duke vënë theksin në përfundimin e punimeve rreth korridorit 8. Ivanov tha se projekti që është realizuar deri në Gostivar duhet të arrijë shumë shpejt deri në Qafë Thanë, duke iu bërë apel investitorëve për përmbylljen e këtij projekti. Sipas Ivanovit, të gjitha rrugët e mbyllura në Ballkan duhet të hapen pasi lidhja përmes korridoreve evropiane kontribuon jo vetëm në një komunikim më të mirë ekonomik e tregtar por edhe kulturor e turistik.
"Rajoni ynë ka nevojë për infrastrukturë të re sepse në gjithë Ballkanin ka shumë rrugë të mbyllura, të cilët i quajmë qorrsokakë. Të gjitha këto rrugë duhet të hapen prandaj në këtë kontekst, me rëndësi është korridori 8. Ai madje do të marrë kuptimin kur magjistralja që shtrihet nga Joni përgjatë Adriatikut do të bëhet projekt evropian dhe të gjitha vendet do të kenë dalje në njërin prej korridoreve evropiane. Maqedonia ka dalje në dy korridore; në korridorin 8 dhe 10. Por Kosova, Shqipëria dhe Mali Zi nuk kanë dalje në korridore evropiane. Prandaj ajo që ishte në fillim ide tani po bëhet projekt konkret", deklaroi Gjorge Ivanov, President i Maqedonisë.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, mikpritësi në Durrës i homologëve të tij nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i zi në kuadër të Samitit rajonal, porositi se përmes nismave të tilla rajonale, promovohen vlerat e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në kuadër të integrimeve euro-atlantike.
"Ky Samit edhe një herë dëshmoi rëndësinë e këtij standardi tashmë të konstruktuar të fqinjësisë së mirë, të dialogut, të bashkëpunimit dhe po bëhen gjithnjë e më konkret në prezantimin e ideve dhe projekteve konkrete të zhvillimit të rajonit. Pra dominimi i deve të projekteve rajonale në fusha të rëndësishme, të energjisë, infrastrukturës, transportit, të turizmit, bujqësisë në tërësi të zhvillimit ekonomik", tha Bujar Nishani, President i Shqipërisë.
Samiti që duhet të mirëpriste 6 president, u bojkotua nga Serbia dhe Bosnja. Kosova ironizoi mungesën e tyre, duke iu kërkuar kolegëve ballkanik të mos mungojnë në samitin e ardhshëm, pasi do të mbeten prapa në misionin e ngritjes së urave të bashkëpunimit dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë. Presidentët e pranishëm, përveç samitit kanë zhvilluar edhe takime bilaterale mes tyre,duke i vënë theksin dialogut dhe forcimit të partneritetit ekonomik. Semra Jakupi
Comments