Qeveria paguan podesten

  • 9 years ago
Sali Berisha do ta paguajë bujarisht kompaninë e lobimit Podesta Group, edhe për muajin tetor, kur ajo nuk parashikohet të ushtrojë asnjë lloj veprimtarie në favor të qeverisë në ikje, pasi pushtetin ekzekutiv do ta ketë qeveria Rama, me të cilën Podesta nuk ka marrëveshje bashkëpunimi. Sipas një fature të Thesarit të Shtetit, nga buxheti janë disbursuar tashmë rreth 190 mijë dollarë amerikanë, për të kryer pagesën e fundit për shërbimet e kryera për të rregulluar imazhin e Berishës dhe ekipit të vet qeverisës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pagesa është kryer në rrugën e ndjekur edhe më parë, nëpërmjet bankës Raiffeisen, që ka transferuar shumën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përshkrimin e faturës shkruhet se pagesa përfshin shërbimin e kryer nga kompania amerikane për periudhën gusht, shtator dhe tetor, para duke paguar paradhënie dhe për një shërbim të paqenë. Pagesa është kryer nga Thesari, duke u mbështetur në marrëveshjen dypalëshe, të miratuar nga qeveria shqiptare me VKM te prillit 2013. Marrëveshja rinovonte kushtet e kontratës së lidhur që në vitin 2011 midis përfaqësuesve të Podestas dhe sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të aparatit të Këshillit të Ministrave Gjergj Lezhja.
Qeveria shqiptare kishte bërë më parë edhe dy pagesa në llogari të Podestas, në dy data të ndryshme të muajit prill 2013. Dokumentet zyrtare të kompanisë amerikane janë depozituar në Zyrën e Taksave në SHBA më 31 korrik të këtij viti, ku pasqyrohet aktiviteti dhe të ardhurat e gjashtë muajve të parë të vitit. Pagesa e parë është bërë më 16 prill me një vlerë prej 180 mijë dollarësh. Pas tetë ditësh, "Podesta" ka marrë shumën tjetër prej 180 mijë dollarësh.

Recommended