Në seancën e sotme të Qeverisë e cila pritet të fillojë në ora 17, do të shqyrtohet mundësia nëse do të hiqen apo të zgjaten masat për importin e miellit të kushtëzuar. Nëse merret vendimi për heqjen e kësaj mase, kjo do të thotë eliminim i arsyes formale që e detyroi Prishtinën për fillimin e luftës tregtare që po zgjatë tashmë një javë. Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje ekonomike Vladimir Peshevski, tha se nëse merret vendimi për heqjen e masës, Qeveria duhet të vendosë se kur i njëjti vendim do të hyjë në fuqi, që e lë mundësinë që ajo të hyjë në fuqi menjëherë. Nëse ndodh kjo, atëherë Prishtina zyrtare duhet ti tërheqë masat e saj për bllokimin e prodhimeve të Maqedonisë, që automatikisht pushon të vlejë edhe vendimi i Qeverisë në Shkup për pagesën e taksës për hyrje të shtetasve të Kosovës, për makinat, kamionët dhe autobusët. Kjo do të nënkuptonte edhe fund i luftës tregtare.
"Për të qenë konkret, sot gjatë ditës është caktuar seancë e Qeverisë në të cilën do të shqyrtohet gjendja me miellin dhe tregun e grurit në Republikën e Maqedonisë. Nëse në bazë të informacioneve që do të prezantohen nga institucionet relevante në seancën e Qeverisë dhe diskutimit të ministrave konstatohet se është arritur stabilizim i tregut në masë të mjaftueshme, asnjëherë nuk mund të pohoni se është vendosur 100 për qind kontroll, por në masë të mjaftueshme, atëherë Qeveria do ta pezullojë atë masë. Nëse vlerësojmë se stabilizimi nuk është arritur masa do të vazhdojë deri në atë moment kur të vlerësojmë se duhet të pezullohet", deklaroi Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike. Alsat-M
Comments