Frashëri: Xhamia po përdoret si mbulim për ndërtimin e kullave

  • 9 years ago
Xhamia po përdoret si kamuflazh për të ndërtuar kulla biznesi, deklaron Kastriot Frashëri drejtues i Institutit të Çështjeve Kombëtare. Çështja ka përfunduar në dyert e gjykatës pas lejes zhvillimore të dhënë nga qeveria shqiptare me firmë të ministrit Visar Zhiti. Gjykata e Tiranës ka nisur procesin gjyqësor nga ku pritet të vlerësohen procedurat e ndjekura për lejen e dhënë.

Ndërtimi i Xhamisë nga Komuniteti Mysliman në truallin e ish-namazgjasë pranë parlamentit shqiptar, vazhdon ende të kontestohet nga shoqëria civile dhe Instituti i Çështjeve Kombëtare, të cilët kanë paditur Këshillin Kombëtar të Territorit për lejen zhvillimore të dhënë më 29 maj të këtij viti.

Në gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca e parë përgatitore për gjykimin në themel të çështjes, ndërsa Kastriot Frashëri i cili nuk është kundra ndërtimit të objektit fetar, thotë se xhamia është përdorur si kamuflazh për ndërtimin e katër kullave të biznesit.

"Ne sot paraqitëm një kopje të akteve të vendimit nr.2 të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe lejen zhvillimore të Ministrisë së Kulturës, e cila i ka dhënë palës së paditur, Komunitetit Mysliman ndërtimin e lejes zhvëllimore për ndërtimin e një objekti kulti siç është xhamia dhe të 4 kullave që janë një biznes privat në një hapësirë publike siç është një lulishte e njohur, që është lulishtja pranë Parlamentit. Për fat të mirë punimet janë pezulluar. Ne kundërshtojmë edhe ndërtimin e 4 kullave të biznesit, të cilat ne i dinim se ishin dy, por janë 4 kulla biznesi, të cilat ndërtohen si kamuflash nëpërmjet xhamisë", thotë Kastriot Frashëri drejtues i Institutit të Çështjeve Kombëtare.

Seanca u zhvillua pa praninë e kamerave, ndërkaq gjykatësja Fahrije Budo vendosi ti jap kohë palës të interesuar në proces, Këshillit Kombëtar të Territorit të njihet me dosjen e më pas të kalohet në shqyrtim gjyqësor.

Recommended