Vendkalimi kufitar në Bllacë prej mbrëmë vazhdon të jetë i mbyllur për qarkullimin e të gjitha veturave. Kjo për shkak të protestës së shoqatës së kamionistëve 'Makam Trans', të cilët kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë të problemit të krijuar mes Maqedonisë dhe Kosovës. Udhëtarët vetëm në këmbë mund ta kalojnë këtë kalim kufitar. Qytetarët të cilët vijnë nga Kosova janë të detyruar që veturat e tyre t'i parkojnë në kufi dhe të kalojnë në këmbë, ndërsa me të kaluar kufirin, shfrytëzojnë veturat taksi apo ndonjë të afërm që del për ti pritur. Tërë këtë tollovi më së miri e shfrytëzojnë taksistët e paligjshëm, të cilët sipas udhëtarëve ata u marrin edhe nga 20 euro për person.
"Në këmbë, jemi lodhur dueke ecur, shumë vështirë. Rruga është tërësisht e bllokuar, atje ku po shihet mauna. Duhet me vazhduar në këmbë deri sa të mundemi.
"Vijmë nga Novi Pazari. Nuk mund ta kalojmë kufirin. Ja ka edhe bllokadë, shkojmë në këmbë, deri në Shkup. Më pas do të kthehemi me ndonjë furgon deri te kufiri, prej atje autobus dhe më pas në Novi Pazar".
Një pjesë e udhëtarëve, që duan të hyjnë në Maqedoni shpresojnë se kufiri do të hapet dhe kështu kanë vendosur të presin me orë të tëra.
"Çka me tregu be vëlla, unë di se çka është puna. Bëhet çfarë bëhet, popullit nuk duhet ti bëhet kjo, por... Prej Kosove na lëshuan, prej këtu nuk e di se çk është puna, nuk kam koment".
"Presim rreth dy-tre orë. Jemi nga Prizreni. Na thonë të presim. Rruga është e bllokuar.
E njëjtë është pasqyra edhe për ata që duan ta braktisin Maqedoninë dhe të kalojnë në anën e Kosovës. Ata deri te kufiri i Maqedonisë, ku janë vendosur bllokadat -- vijnë me taksi ose makina, të cilat këtu i parkojnë dhe më pas kalojnë në këmbë në anën e Kosovës.
Ndonëse ka më pak qarkullim, aspak më i vogël nuk është as tensioni në terminalin kufitar i cili ka të bëjë me kamionistët. Atje tërësisht janë bllokuar edhe hyrja edhe dalja dhe prej dje nuk ka kurrfarë lëvizje.
?Katër orë jemi këtu, dua të kaloj me kamionin, por problem është Maqedonia. Nuk kthehem prapa në Turqi. Çfarë të bëjmë ne? Nuk e dimë se çfarë të bëjmë?".
Nga shoqata e transportuesve 'Makamtrans' thonë se kërkojnë zgjidhje të situatës së krijuar, pasi sipas tyre dëmet që i pësojnë janë të mëdha. U bëjnë thirrje dyja palëve që urgjentisht të zgjidhin këtë problem
"Ne shpresojmë se ndjenja për bashkëpunim dhe punë të mirë të dy shteteve dhe politikanëve do të vjen në shprehje dhe do të kuptojnë se duhet të punojnë në interes të popullit dhe të ekonomisë, e jo për të fituar disa pikë të caktuara", tha Biljana Muratovska, Makamtrans.
Kamionët e Makamtrans do të mbeten në bllokada deri në zgjidhjen e problemit. Shprehen se në MPB në mënyrë të rregullt i kanë paralajmëruar bllokadat. Në Bllacë është e pranishme edhe ndihma e shpejtë. Natasha Stojanovska
Comments