Mblidhet Kuvendi,Dokle:I rrallë pa bojkot falë partive, popullit

  • 9 years ago
TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar për 15 minuta seancën e parë të legjislativit të ri të pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Seanca i nisi punimet rreth orës 18:00, ndërkohë që deputetët dhe të ftuarit nisën të mbërrijnë aty rreth orës 17:40.

Fjalën hyrëse e ka mbajtur ish-kryetari i grupit parlamentar të PS, '92-'97, Namik Dokle. Pasi ka shprehur kënaqësinë dhe nderin, që i ofron mosha dhe përvoja shumëvjecare, Dokle ka deklaruar të hapur mbledhjen e parë të legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë.

"Kjo legjislaturë nga të rrallat që nis pa bojkot, kjo falë forcave politike këtu, e mbi të gjitha falë popullit shqiptar, që larg zhurmave vendosi me votën e tij të ndryshojë ritmin drejt BE. Vendosi ta bëjë më të mençur, më të shpejtë. Na dha mesazh kundër politikave arrogante dhe plaçkitëse", theksoi në fjalën e tij Dokle.

Pasi kujtoi fjalë të Nënë Terezës mbi dashurinë dhe urrejtjen, Dokle kërkoi bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë-opozitë "se ku mungon mirëkuptimi qëllimet e mira bëhen të padobishme".

"Ju që hyni këtu lini mënjanë mendjemadhësinë, meskinitetin, mosmirënjohjen ndaj njerëzve të thjeshtë", përfundoi fjalën e tij hyrëse Dokle, duke bërë më pas të ditur se tre deputetë, ndër më të rinjtë, do të caktohen të kryejnë sekretarinë e Kuvendit përkohësisht".

E ndër deputetët më të rinj në listën e KQZ u zgjodhën si sekretarë të përkohshëm; Ylli Shehu, Kaljda Gjosha dhe Olta Xhaçka.

Dokle më pas ka lexuar gjithë emrat e deputetëve fitues sipas qarqeve dhe partive politike.

Më pas, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi shpalli dhe krijimin e një komisioni për verifikimin e mandateve, ku nga PS do të jenë deputetët: Armanda Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare, Vexhi Muçmata.

Nga LSI - Vangjel Tavo, ndërsa nga PD: Voltana Ademi, Arben Ristani, Gerti Bogdani, Oert Bylykbashi.

Kuvendi do të rimblidhet nesër në orën 11:00.

Recommended