Bruksel, Taçi e Daçiç dakordësohen për energjinë e telekomunikacionin

  • 9 years ago
BRUKSEL- Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, kanë arritur marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë.

Zyra e ndërmjetësueses Catherine Ashton, e cila është shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ka lëshuar komunikatën, në të cilën thuhet:

"Kam takuar kryeministrin Daçiç dhe kryeministrin Thaçi në Bruksel, për të vazhduar bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes së Prillit. Kryeministrat kanë arritur marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë".

"Sa u përket zgjedhjeve komunale të nëntorit, kemi shqyrtuar progresin e bërë dhe kemi marrë disa vendime të rëndësishme për të siguruar zgjedhje të ndershme, me pjesëmarrjen e plotë të mundshme në procesin zgjedhor".

"Kryeministrat janë pajtuar që Grupet Punuese për zgjedhjet, të kryesuara nga OSBE-ja, të takohen sërish në ditët e ardhshme, në mënyrë që vendimet e marra sonte të zbatohen në kohën e duhur", përfundon komunikata e baroneshës Ashton.

Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç janë takuar të dielën për të 16-ën herë.

Para takimit, Thaçi nuk ka pranuar të flasë për çështjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke thënë se për to vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë.

Ndryshe nga ai është shprehur Maja Kocijançiç, e cila është zëdhënëse e baroneshës Ashton.

"Palët do të bisedojnë për vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së Prillit. Në fokus të veçantë do të jenë zgjedhjet, përgatitjet për zgjedhjet në nëntor. Është e rëndësishme që këto zgjedhje të përgatiten mirë, që të shkojë gjithçka siç duhet", ka deklaruar Kocijançiq para gazetarëve.

Ajo ka thënë se nga dialogu nuk mund të përjashtohen edhe temat e tjera, duke përmendur telekomunikacionin dhe energjinë.

Kocijançiç ka kujtuar po ashtu pritjet e ndërmjetësueses Ashton që të dyja palët, në javët dhe muajt e ardhshëm, të zgjidhin çështjet e hapura me pjekuri dhe me konstruktivitet.