Prifti në Prokurori, dëshmon për 40 leje koncesionare

  • 9 years ago
TIRANE- Dritan Prifti, ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës është marrë në pyetje për afro një orë këtë të premte (6 shtator) nga Task Forcë e Prokurorisë së kryeqytetit.

Burime nga Prokuroria konfirmuan për "A1 Report" se, Prifti ishte i pranishëm në cilësinë e deklaruesit, ndërsa është pyetur në lidhje me koncesionet e dhëna kur METE drejtohej prej tij.

Njësia ''Task Forcë'' në Prokurorinë e Tiranës ka nisur një hetim të detajuar për raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar nga Dritan Prifti, menjëherë sapo mori detyrën e Ministrit të Ekonomisë, në shtator të vitit 2009.

Raporti mbi koncesionet është në dispozicion të akuzës, e cila ka thirrur për të disatën herë Dritan Priftin, ish-ministrin i cili paralajmëroi se do të vazhdojë me denoncimet për skandalet e qeverisë. Mësohet se Prifti ka shpjeguar para oficerëve të policisë gjyqësore detaje të shkeljeve të evidentuara në dhënien e të paktën 40 lejeve koncesionare minerare dhe hidrike.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se ish-ministri ka sqaruar raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar prej tij, menjëherë sapo mori detyrën dhe ku u gjetwn shkelje në të paktën 40 koncesione të dhëna gjatë muajve korrik-gusht të vitit 2009. Nga problemet e evidentuara mësohet se një ka të bëjë me mosmarrjen në konsideratë të përfitimit real të shtetit si dhe shmangien nga konkurrimi i subjekteve të ndryshme.

Paralelisht me këtë çështje, organi i akuzës ka nisur hetime edhe për dy leje të mëparshme konçensionare, njëra prej të cilave është dhënë gjatë kohës që në krye të kësaj ministrie ishte Dritan Prifti. Ndërsa një tjetër çështje hetimore, që është konsideruar si mjaft e rëndësishme nga Prokuroria, ka të bëjë me koncesionin minerar për kromin në Bulqizë.

Lajmi nuk është bërë publik për mediat, ndërsa pritet që në përfundim të hetimeve të përmbyllet dosja e koncesioneve, si dhe të shihet edhe roli i ish-ministrit, i cili shpesh here dhe vetë ka denoncuar publikisht aferra korruptive apo koncesione të dhëna në dëm të interest publik.

Recommended