Tabelat, mund të zhvendosen por jo edhe të hiqen

  • 9 years ago
Vazhdojnë polemikat rreth asaj se kush ka kërkuar heqjen e tabelave informative në tre gjuhë përgjatë rrugës Tetovë-Shkup të vendosura nga ndërmarrja publike 'Makedonija Pat'. Sipas kompetentëve në këtë ndërmarrje një vendim të tillë ka ndërmarr Inspektorati Shtetëror për Transport i udhëhequr nga Rufat Hyseini, kuadër i partisë shqiptare në pushtet. Por, Hyseini tha për ALSAT-M se vendimi është marrë nga persona të tjerë të inspektoratit në mungesë tij derisa sa ai ka qenë në pushime. Ai gjithashtu tha se ai nuk ndjehet fajtor pasi nisma për marrjen e një vendimi të tillë është nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e cila ka kërkuar nga ky inspektorat që të kryej kontroll nëse tabelat informative janë vendosur ashtu siç parasheh ligji.

"Iniciatori i kryerjes së kësaj kontrolle apo kësaj mbikëqyrjeje është Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore. Inspektorati Shtetëror për Transport dhe jo vetëm kjo ndërmarrje por të gjitha palët që bëjnë kërkesë, në afat 15 ditorë t'ju kthej përgjigje në kërkesat e tyre. Normalisht inspektori që ka bërë kontrollin i ka kthyer përgjigje ndërmarrjes për rrugë shtetërore. Nesër mund të tërhiqet vendimi nëse 'Makedonija Pat' është ajo që ka vendosur këto tabela informative sjellë pëlqimin në inspektorat dhe problemi merr fund", tha Rufat Hyseini, drejtor i Inspektoratit shtetëror për transport.

Nga Ndërmarrja Publike 'Makedonija Pat' sot informuan se kanë dorëzuar një ankesë deri tek Inspektorati Shtetëror për Transport, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe vetë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me qëllim që tabelat informative të mos hiqen. Ndërkohë dje edhe zv/Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal Bajrami tha se 'Makedonija Pat' mund ta ankimoj vendimin e Inspektoratit për Transport dhe me këtë të tejkalojë shkeljet ligjore nëse janë shënuar.

"Nëse nuk është respektuar procedura, do të shohim mundësitë që të respektohen procedurat, gjegjësisht ne do të marrim si obligim që Ndërmarrja Publike 'Makedonija Pat' të ankimon këtë vendim të inspektoratit me qëllim që të mos largohen dhe gjithsesi do të bëjmë të pamundurën që këto tabela mos të largohen. Ndoshta, inspektorit në fjalë i ka penguar përdorimi i gjuhës shqipe dhe tani është kapur krejtësisht diku tjetër mirëpo këto tabela të vendosura nga ana e Ndërmarrjes Publike 'Makedonija Pat' nuk do të largohen", u shpreh ditë më parë Xhelal Bajrami, zv/Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Drejtori i Inspektoratit shtetëror për transport, Rufat Hyseini thotë se në vendimin e inspektorit që ka kryer kontrollin askund si problem nuk përmendet përdorimi i gjuhës shqipe por në vendimin e tij thuhet se tabelat janë të vendosura në kundërshtim me ligjin edhe atë në brezin mbrojtës të rrugës dhe që janë vendosur nga person juridik apo fizik i panjohur dhe pa pëlqimin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore e cila është kompetente për çdo shenjë apo tabelë që vendoset në rrugë. Valmir Kuçi

Recommended