TIRANË- Nëntë vendburime të naftës dhe gazit në administrim publik i kanë kaluar privatit. Qeveria në ikje ka miratuar 10 ditë më parë 9 Marrëveshje Hidrokarbure, por dorëzimi i tyre është bërë ditën e sotme në mënyrë të menjëhershme. Deputeti socialist, Erjon Braçe e ka quajtur batërdi vijimin e transferimeve "rrufe" të këtyre hidrokarbureve tek privati. Bëhet fjalë për vendburime të gazit në Frakull, Povelcë, Divjakë, Ballaj, Kryevidh, etj. Sipas reagimit të Braçes në faqen e tij në rrjetin social "Facebook", "një praktike e tillë "rrufe" e dorëzimit të vendburimeve nuk ka ndodhur asnjëherë më parë".
"Batërdia vazhdon!! Tani në terren përmes transferimeve "rrufe". Vetëm 10 ditë pas miratimit në Qeverinë e Pushuar nga Puna të 9 Marrëveshjeve Hidrokarbure, të cilat, lëshojnë tek një privat 9 vendburimet e fundit të naftës dhe gazit nën administrim publik; Ferdinand Murati-drejtori politik i Albpetrol; Florion Mima-ministër politik për Ekonominë kanë urdhëruar. Dorëzimin e menjëhershëm brenda ditës së sotme të të gjitha vendburimeve, posaçërisht të vendburimeve të gazit në Frakull, Povelcë, Divjakë, Ballaj, Kryevidh!!! Nuk ka ndodhur në asnjë rast të mëparshëm të marrëveshjeve hidrokarbure kjo praktikë "rrufe" në dorëzimin e vendburimeve. Asnjëherë më parë", shkruan Braçe në reagimin e tij.
Comments