Ministrat e jashtëm të Ligës Arabe kërkuan nga OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrin veprime kundër regjimit sirian për shkak të sulmeve me armë kimike. Por, shtetet arabe nuk bënë thirrje për sulme ushtarake .
"Nuk bëhet fjalë për opsion ushtarak . Siç shpjegoi i dërguari special Lakdar Brahimi ,në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, autoritetet siriane nuk janë në gjendje ta eliminojnë opozitën, e as opozita ta rrëzon qeverinë . Prandaj në Siri duhet të ketë një zgjidhje politike ", tha Nabil Elarabi , Sekretar i Përgjithshëm i Ligës Arabe
Përkundër thirrjes për konsensus , kundër vendimeve përfundimtare u deklaruan Egjipti, Iraku, Libani dhe Tunizia . Ndërkohë, derisa Shtetet e Bashkuara e forcojnë flotën e vet në Detin e Kuq , Rusia në Mesdheun lindor, dërgoi një anije të inteligjencës. Moska zyrtare nuk ka komentuar hapin e tillë, ndërsa shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov , tha se çdo veprim ushtarak nga SHBA-ja do ti jepte fund të gjitha përpjekjeve për paqe në rajon.
"Nëse veprimi i paralajmëruar nga Presidenti Amerikan ndodh me të vërtetë, mendoj se pavarësisht angazhimeve deklarative për forumin e Gjenevës, konferencë të paqes nuk do të ketë", tha Sergej Lavrov , Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Sot me qëndrim doli edhe Pekini zyrtar . Autoritetet kineze kanë shprehur shqetësim rreth mundësisë së ndërhyrjes së njëanshme ushtarake të fuqive perëndimore në Siri.
"Komuniteti ndërkombëtar duhet ti respektojë parimet e OKB-së dhe të shmang ndërlikimet e mëtejme të problemit në Siri", theksoi Hong Lei , zëdhënës i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Kinës.
Pekini zyrtar tha se asnjëra palë nuk duhet të nxitojë dhe të paragjykojë rezultatet e hetimeve të inspektorëve të OKB-së, të cilët janë menduar të bëjnë hetim të drejtë dhe të paanshëm në bashkëpunim me qeverinë siriane. Përfaqësuesi sirian në Kombet e Bashkuara , Bashar Xhafari në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki --Mun, i bëri thirrje kreut të kësaj organizate ndërkombëtare të merr pjesën e vet të përgjegjësisë në parandalimin e çdo lloj agresioni kundër Sirisë dhe të vazhdojnë me përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike për krizën në vend. Petar Bllazhevski
Comments