Nuk ka zgjidhje për kishën në Oktisi të Strugës

  • 9 years ago
Nuk ka zgjidhje për problemin e krijuar rreth ndërtimit të Kishës në Oktisi të Strugës. Kreu i Strugës Ziadin Sela pas takimit me kryepeshkopin e Dibrës dhe Kërçovës Timotej, tha se zgjidhja e përkohshme është masa për ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e Kishës. Sela tha se edhe pse bëhet fjalë për një problem fetar, ai do të kontribuojë që palët të zgjidhin mes vete këtë problem duke shtuar se në Maqedoni më shumë ka probleme të karakterit kombëtar se sa fetar. Peshkopi Timotej pas takimit nuk deshi të prononcohet, vetëm tha se bisedimet do të vazhdojnë. Kryetari i Strugës Ziadin Sela kërkoi dje nga Gjykata Themelore në Strugë masën e përkohshme të ndërprerjes së punimeve për ndërtimin e kishës.

"Unë vetëm se ndërhyj sepse janë probleme fetare dhe asesi nuk duhet të bëhemi preh e këtyre problemeve fetare të cilat ndodhin. Problemet në Maqedoni janë të karakterit tjetër, çdo herë e kam thënë dhe vazhdoj të insistoj në atë,nuk janë në problemet në Maqedoni të karakterit fetar,por janë të karakterit nacional dhe prandaj assesi nuk duhet të lejojmë që problemet të marrin këtë kahje. Janë probleme fetare,nëpërmjet bashkësive dhe unë do të kontribojë që ato të zgjedhin këto probleme ndërmjet veti të dy bashkësitë fetare,të cilët kanë probleme.E rëndësishme është që qytetarët të jene të qetë dhe mos rrezikohet siguria e tyre", deklaroi Ziadin Sela,Kryetar i Komunës së Strugës.

Vendosja e gur-themelit të Kishës Ortodokse në fshatin Oktis, të dielën u kthye në mollë sherri mes banorëve myslimanë dhe atyre ortodoksë. Banorët e fshatit Oktis me protesta penguan vendosjen e gur-themelit për ndërtimin e kishës në atë vend. Ndërsa Komuna të dielën kishte zbuluar dokumentin e vendimit për ndërtimin e kishës. Kreu i komunës Ziadin Sela tha se fajtor është ish kryetari Ramiz Merko, firmëtari i dokumentit në fjalë, për ndërtimin e kishës në Oktis. Dokumenti është firmosur më 20 mars të këtij viti, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve lokale. Durim Hetemi

Recommended