TIRANE - Nervat e një vajze, e cila nuk nxirrte dot makinën nga parkimi, kanë shkaktuar një konflikt, i cili i ka marrë jetën një 60-vjeçari, ndërsa autori është vënë në pranga.
Ngjarja ndodhi në orën 09.30 në lagjen "Ali Demi" në Tiranë, kur Gëzim Karaj, 60 vjeç, me profesion saldator, është goditur me grushta nga 30-vjeçari Artenc Shehu, i dashuri i vajzës vetëm sepse i gërvishti makinën kësaj të fundit.
ORA 18:45 - NDALOHET EDHE E DASHURA E AGRESORIT
Është ndaluar nga policia e kryeqytetit edhe e dashura e autorit të vrasjes së 60-vjeçarit Gëzim Karaj me akuzën e "bashkëpunëtores në vrasje".
ORA 09:30 - SI NISI KONFLIKTI
Shkaku është bërë një vajzë, e cila është e dashura e 30-vjeçarit. Rreth orës 08:30 kur ajo nuk po nxirrte dot makinën e saj ta parkimi, Benz A Class, ngjyrë jeshile, ka nisur të debatojë me 60-vjeçarin Karaj.
Kjo, pasi ky i fundit, po transportonte mbi biçikletë disa rafte, që do t'i hidhte në koshin e mbeturinave. Në momentin kur ka kaluar aty, vajza e ka akuzuar atë se i kishte gërvishtur makinën.
Mësohet se i ka gjuajtur me shkelma dhe biçikletës së viktimës. Debati është dukur se u mbyll me kaq dhe Karaj ka shkuar në servisin e tij ku saldonte, për të vazhduar punën ndërsa në katin e katërt të pallatit ngjitur, viktima kishte banesën.
Një orë më pas i njoftuar nga e dashuri i tij për sherrin Artenc Shehu i është drejtuar servisit, ku dhe ka nisur sherri. Ai e ka goditur me grushte 60-vjeçarin, i cili ka rënë me kokë në pllaka, duke i shkaktuar vdekjen e tij të menjëhershme.
Një makinë që ndodhej aty, e ka nisur viktimën drejt Spitalit të Traumës, por duket se çdo gjë ishte e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë që në momentin e përplasjes së kokës në tokë.
Menjëherë, forcat e policisë së komisariatit numër 1, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë rrethuar zonën dhe autori është arrestuar pak minuta më vonë.
Comments