Struga boshatiset nga turistët

  • 9 years ago
Reshjet e shiut dhe rënia e temperaturave duket se kanë boshatisur plazhet e Strugës. Disa nga turistët vendas por edhe nga rajoni, janë zhvendosur drejt plazheve që ofron liqeni i Ohrit për ta mbyllur përfundimisht këtë sezon veror. Ndërsa shumica po hamendësohen për shkak të motit, një pjesë tjetër e pushuesve thonë se sezonit i kanë mbetur ende edhe disa ditë me diell.

"Sot klima ka ndryshuar, ka reshje shiu, na i ka prishur planet, kishim për të ndenjur edhe disa ditë më tepër, deri nga fundjava, por besojmë se sonte ose nesër do të ikim".

"Unë kam dy ditë që gjendem këtu në Strugë me bashkëshorten dhe fëmijët. Tani do shkoj pak të vizitoj edhe Ohrin dhe do kthehem në Kosovë. Shiu na ka prish planet, por edhe koha nuk më ka mjaftuar që të qëndroj edhe më shumë, kështu që jam i kënaqur edhe pse ka rënë shi".

"Për reshjet që kanë rënë këto ditët e fundit, shumë na ka prish planet. Kemi ardhur nga Tirana këtu, shohim këtu shi, andej vapë, ne kërkojmë pak më freskët por nga ana tjetër, ne kemi ardhur për plazh. Shiu na ka prishur shumë punë, tani të shohim, besoj se do ikim prapë ku kemi qenë".

"Kemi ardhur këtu për pushime gjatë gjithë javës,afër 3-4 ditë jemi këtu në Strugë, por edhe pse koha tani është pak e prishur, me shi, do qëndrojmë deri në fundjavë mua nuk më pengon .Me pëlqen Struga,kalojm bukur".

Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se moti i ndryshueshëm e me reshje lokale do të vazhdojë deri në fund të javës, së bashku me rënien e temperaturave. Nuk përjashtohet mundësia që kjo gjendje të vazhdojë edhe pas të hënës.

"Prej nesër e deri në ditët e ardhshme moti do të jetë me vranësira mesatare, do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu, do të thotë do të kemi mot më të freskët, me temperaturë më të lartë të ajrit që do të arrij prej 25 deri 34 gradë, në suaza lokale nuk përjashtohet shira të shkurtër", tha Lena Jovanovska, sinoptikane.

Sezoni turistik, me fillimin e shtatorit hyn në fazë të re. Megjithatë, nga statistikat e deritanishme, në Strugë kanë qëndruar rreth 30 mijë turistë dhe janë regjistruar rreth 100 mijë bujtje. Kjo statistikë përfshinë periudhën nga qershori deri në gusht. Nga sektori i turizmit në komunën e Strugës, thonë se ky vit ka shënuar rritje të turistëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit. Durim Etemi

Recommended