Përfundon manifestimi poetik në Strugë. Edicioni i 52-të i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë u mbyll me nderimin e laureatit të sivjetshëm Hoze Emilio Paçeko. Natën e mbrëmshme gjithashtu u vlerësuan edhe poetja nga Maqedonia Nikolina Andova, e cila mori çmimin "UNESCO" si dhe Sllave Gjorgje Dimov, i cili mori çmimin "Vëllezërit Milladinov". Në këtë festival e ftuar ishte edhe Kosova, e përfaqësuar nga Naime Beqira dhe poetesha nga Shqipëria Flutura Açka.
"Për mua është viti i pestë që vij. Vij me mall, madje i kam kushtuar edhe një libër poetik Strugës, kam dy vargje që i dedikoj Strugës "si në Strugë s'më bie asnjë rrugë", deklaroi Flutura Açka, poete nga Shqipëria.
"Është një nder i madh të nderohesh me këtë çmim, si për libër të parë. Nuk ka nder më të madh se sa të kesh mundësi të ndash tekstet, në këtë festival", u shpreh Nikolina Andova, fituese e çmimit"UNESCO".
"Ftesa për të marrë pjesë në këtë festival ka qenë sigurisht e mirëseardhur. Unë jam ndjerë shumë e nderuar. Është një organizim perfekt, mirëpo në cilësinë e poezive unë kam pritur më shumë art, më shumë kualitet", tha Naime Beqiraj, poete nga Kosova.
Në këtë manifestimin poetik morën pjesë më shumë se 30 poetë nga gjithë bota. Durim Etemi
Comments