Armët kimike në Siri, Presidenti Al Assad hedh poshtë akuzat e Perëndimit

  • 9 years ago
Presidenti sirian Bashar Al Assad përveçse refuzon akuzat e Perëndimit mbi përdorimin e armëve kimike por paralajmëron edhe SHBA-n se ata mund të ndërmarin një luftë, por nuk mund të dinë se sa do të zgjasë dhe kur do të mbarojë."
Në një intervistë për gazetën ruse "Izvestia", Assad e përshkruan "një fyerje në sensin e mirë" akuzat e bëra nga vendet perëndimore për përdorimin e armëve kimike mbi civilët .
"Këto akuza - tha Assad - janë të motivuara politikisht dhe janë të sajuara nga aktivistët opozitarë pasi po shikojnë edhe fitoret e forcave qeveritare kundër terroristëve."
Për presidentin sirian, SHBA-të duhet të dinë në qoftë se ata vendosin të sulmojnë ushtarakisht Sirinë, "do të dështojnë, si në të gjitha luftërat që kanë shkaktuar deri tani, që nga Vietnami deri në ditët e sotme."
Ndërkohë ekspertët e OKB-së priten të nisin sot hetimin e provave për sulme me armë kimike në vendin e dyshuar në afërsi të kryeqytetit sirian Damask.
Megjithatë, vendimi i Damaskut zyrtar për të lejuar monitoruesit për të hyrë në zonë është pritur me skepticizëm nga qeveritë perëndimore. Edhe nga Moska, një aleat i ngushtë i Sirisë vijon shqetësimet mbi armët kimike dhe në një deklaratë zyrtare thuhet se një ndërhyrje ushtarake nga ndërkombëtarët do të largonte përpjekjet e Rusisë dhe SHBA-s për të sjellë të dy palët kundërshtare në Siri në tryezën e bisedimeve të paqes.
SHBA thotë se ka dyshime se forcat siriane kanë përdorur armë kimike në sulmin e të mërkurës ku sipas aktivistëve opozitarë mbetën të vrarë 1300 vetë përfshirë gra dhe fëmijë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se forcat ushtarake në Mesdhe janë në pritje që presidenti Obama të marrë një vendim se si do t'i përgjigjet përdorimit të armëve kimike nëse vërtetohen faktet.