Ndarja e ministrive sipas strukturës së re të qeverisë të prezantuar kohë më parë nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka sjellë nevojën e gjetjes së godinave të reja për këto dikastere. Për shkak se janë plot 19 ministri si dhe një zv.kryeministër që është pa portofol ministri dhe që për të pasur një efektivitet dhe kapacitet të plotë në punë duhet të ketë zyrat të bollshme për veten dhe stafin e tij në godinën e kryeministrisë, është menduar një rikonfigurim i ri.
Po kështu dhe tre ministrat e shtetit, përkatësisht Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministri i marrëdhënieve me Parlamentin dhe ministri i Çështjeve vendore, do kenë zyrat e tyre në selinë e kryeministrisë, duke ngushtuar së tepërmi hapësira në këtë godinë, për shkak se pothuajse gjysmën e godinës e ka zënë për vite me radhë Ministria e Financave. Për të liruar hapësira për tre ministrat e shtetit por dhe komitetet pranë kryeministrit, Ministria e Financave pas shumë vitesh e instaluar në godinën e kryeministrisë do lëvizë për tu instaluar në godinën aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes zhvendoset në godinën e Akademisë Ushtarake, pikërisht aty ku gjendet dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA. Por për shkak të ndarjes së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë në Ministri të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes dhe ministri të Energjisë dhe Industrisë, burimet brenda qeverisë së re bëjnë me dije se ministria e drejtuar nga Arben Ahmetaj, pra e Ekonomisë do të zhvendoset disa hapa më tutje në gjysmën e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të "bashkëjetojnë" bashkë me ministrinë e Financave.