Qeveria braktis Gardën, s'jepen dietat e fushatës zgjedhore

  • 9 years ago
Edhe pse sot janë mbushur dy muaj nga Zgjedhjet e 23 Qershorit në vendin tonë, teksa qeveria në ikje vazhdon të japë vendimet e saj të fundit, asaj nuk i janë kujtuar efektivët e Gardës së Republikës për t'u dhënë dietat, që sipas ligjit duhet të ishin dhënë para se të kryenin shërbimet. Bëhet fjalë për të gjithë efektivët e Gardës së Republikës, të cilët gjatë fushatës elektorale janë caktuar me detyra të ndryshme në zona të ndryshme të territorit shqiptar, me qëllim për të siguruar jetën e personaliteteve të larta shtetërore dhe institucionet e ndryshme, teksa ata zhvillonin takime politike nga njëri qytet në tjetrin.

Nga burime të besueshme pranë Gardës së Republikës mësohet se aktualisht ky institucion ka rreth 1000 efektivë dhe pjesa dërmuese e tyre presin të tërheqin paratë e harxhuara nga buxheti i tyre familjar, me qëllim për të kryer detyrat shtetërore. Sipas informacioneve të mbledhura nga gazeta "Shqiptarja.com", rezulton se aktivizimi i tyre në mbarëvajtjen e udhëtimeve dhe takimeve të personaliteteve të larta shtetërore në fushatë ka nisur që nga muaji shkurt.

Sipas rregullores, kur personalitete të ndryshme udhëtojnë nga Tirana në qytete të tjera, Garda e Republikës ka për detyrë të sigurojë ambientet dhe jetën e personaliteteve, ku në të shumtën e rasteve ka qenë Kryeministri, ose Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, por nuk përjashtohen rastet, kur ata kanë zhvilluar takime edhe me personalitete të huaja jashtë kryeqytetit. Në këto kushte, Garda e Republikës është caktuar me detyra që të siguronin mbarëvajtjen e aktiviteteve, duke qëndruar me nga dy ose tre ditë jashtë Tiranës dhe larg familjes së tyre.

Recommended