SHQUP , vijon boshatisja e zyrave punonjësit zhvendosin materialet

  • 9 years ago
Që nga dita e enjte, Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë do të jetë zyrtarisht selia e re e Partisë Demokratike. Administrata e selisë blu do të nisë të zhvendoset gradualisht që të enjten në mëngjes. Ndërsa gjatë të mërkurës, Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë është boshatisur dhe pritet që t'i kalojë në dorëzim Ministrisë së Brendshme, konkretisht, Komisionit të Pushtetit Vendor.

Që në orët e para të mëngjesit, disa kamionë janë parkuar në oborrin e SHQUP-it, ndërsa administrata dhe forcat e ushtrisë kanë nisur mbushjen e tyre me materialet e zyrave.

Dy kamionët e parë të ngarkuar janë larguar rreth mesditës, për t'i dërguar materialet në një vend që ende nuk është bërë publik, por ndoshta pranë komandës së Logjistikës, pranë Shkollës së Bashkuar.

Ndërsa deri në fund të ditës, godina duhet të jetë e boshatisur. Ndërkohë, nga burime kofidenciale është mësuar, se zyrat e reja të Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë, do të jenë pranë Ministrisë së Jashtme, tek ish-Pallati i Oficerëve.

Ai është rikonstruktuar me një fond prej 1 milionë eurosh të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes dhe pas pak kohësh do të jetë në funksion të plotë.

Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë u shndërrua në Seli të Partisë Demokratike me një vendim qeverie që u mbajt i fshehtë, ndërsa më 15 gusht, këtë ndryshim pronësie, e firmosi dhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Reagimet ishin të menjëhershme, si nga mazhoranca e re, që pritet të marrë pushtetin në shtator, edhe nga ish-ushtarakët. Ndërsa ndryshimin e pronësisë së SHQUP-it e ka kundërshttuar hapur dhe Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, i cili nuk firmosi asnjëherë dokumentet e kërkuara.

Recommended