Përmet, priftërinjtë marrin me forcë Pallatin e Kulturës

  • 9 years ago
Paraditen e së hënës qyteti i Përmetit është përfshirë nga një valë tensionesh. Besimtarët dhe priftërinjtë ortodoksë janë futur me forcë në Shtëpinë e Kulturës e cila përdorej si kishë me emrin "Shën Maria e Pazarit", godinë që para disa ditësh iu kthye bashkisë, pasi kishte që fituar betejën gjyqësore.

Besimtarët kanë tentuar të marrin me forcë Pallatin e Kulturës, ndërsa kanë hasur në rezistencën e policisë private "Aulona" dhe të policisë bashkiake. Situata është tensionuar duke degjeneruar deri në konfrontime fizike mes besimtarëve dhe policisë private.

Rreth orës 11:00 dy autobusë me besimtarë dhe priftërinj ortodoksë nga qarku i Gjirokastrës kanë zbritur në Përmet dhe i janë drejtuar Shtëpisë së Kulturës për të rimarrë godinën. Protestuesit kanë hequr rrethimin prej llamarine dhe kanë hyrë brenda.

Në përleshje e sipër dy besimtarë janë parë të gjakosur. Ata janë: Ilia Mavro nga Mursia e Stefan Koti nga Xara e Sarandës. Të dy të plagosur lehtë, Mavro në pjesën e ballit, ndërsa Koti ka marrë një plagë të lehtë poshtë veshit.

Menjëherë pas situatës së krijuar, ka reaguar nënkryetari i Bashkisë së Përmetit , Vasil Pano, i cili është shprehur se kisha "Shën Maria e Pazarit" është pronë e bashkisë. Sipas tij priftërinjtë i kanë ngritur atij kurth, pasi ndërkohë që zhvillohej takimi për dorëzimin e bazës materiale të kishës, besimtarët kishin sulmuar Pallatin e Kulturës.

Ndërkohë të dielën reth orës 08.00, liturgjia e shenjtë u mbajt përpara shëtitores së Pallatit të Kulturës.

Sakaq situata e krijuar në Përmet, ka ndikuar edhe në lëvizjën e përmetarëve në pikën kufitare të Kakavijës, ku radha e pritjeve ka arritur në 2 km.

Recommended