Stavrevski: Në fund të muajit do të vendosim për rishikimin e Buxhetit

  • 9 years ago
Nëse do ketë apo jo rishikim të buxhetit për këtë vit, do të dihet deri në fund të muajit, deklaroi ministri i financave, Zoran Stavrevski. Megjithatë, sipas tij, tani për tani të ardhurat janë në kuadër të parashikimeve të qeverisë andaj edhe nuk ka nevojë për rishkimin e buxhetit

"Do presim të shohim si do kalojë muaji gusht dhe atëherë do mësojmë se a do kemi nevojë për ndonjë korrigjim. Por, me rëndësi është se në përgjithësi, realizimi i buxhetit dhe të ardhurat janë në kuadër të asaj që është planifikuar", tha Zoran Stavrevski, ministër i financave.

Stavreski tha se në ministrinë e financave, tashmë po punohet për buxhetin e vitit të ardhshëm.

"Unë bashkë me ministrinë e financave dhe ministritë tjera jemi përqëndruar në përgatitjen e buxhetit për vitin 2014. Veç më i kemi filluar përgatitjet dhe bisedimet me ministritë. Njëkohësisht do të punohet edhe për një kornizë afatmesme të buxheteve indikative për vitet 2015 dhe 2016", u shpreh Zoran Stavrevski, ministër i financave.

Një pjesë e ekspertëve nevojën për rishikim të buxhetit e argumentojnë me faktin se qeveria tashmë ka shpenzuar 80% të minusit për tërë vitin. Gjegjësisht, deficiti buxhetorë vetëm për gjysmën e parë të vitit tejkaloi 224 milionë euro, ndërsa për tërë vitin 2013 është planifikuar deficit prej 287 milion euro. Shpenzimet janë shtuar më shumë se të ardhurat, gjegjësisht, në qershor krahasuar me muajin maj, qeveria ka shpenzuar 10 milion euro më shumë, ndërsa ka grumbulluar vetëm 6 milionë. Është rritur edhe shkalla e mallrave dhe shërbimeve për të cilën opinioni i ekspertëve vazhdimisht thekson se është pjesa më jotransparente e shpenzimeve qeveritare. Njëkohësisht rritet edhe shuma për pagesën e borxhit të brendshëm, kështu që në qershor vetëm për kryegjënë janë derdhur 21.6 milion euro, ndërsa për normë interesi më shumë se 7 milionë euro. Përkundër kësaj, në qershor krahasuar me majin, janë zvogëluar të ardhurat nga TVSH-ja, tatimi personal dhe taksat e importit, ndërsa janë rritur të ardhurat nga tatimi i fitimit dhe akcizave. Rishikim të buxhetit kërkoi edhe LSDM-ja duke i bërë thirrje qeverisë deri në fillim të shtatorit të bëjë rishikim pasi vlerësojnë se kur të arrihet deri në shkallën kur buxheti të bëhet jolikuid, atëherë do jetë vonë për intervenim. Natasha Stojanovska

Recommended