Njohësit e çështjeve evropiane e shikojnë të zymtë të ardhmen e vendit për sa i përket ecurisë së tij në rrugën e integrimeve. Sipas tyre, Maqedonia këtë vjeshtë pritet të marrë nota negative në raportin e progresit të Komisionit Evropian, si pasojë e mos përmbushjes së obligimeve thelbësore. Për Alajdin Demirin madje në pikëpyetje mund të vihet edhe rekomandimi i Komisionit për çeljen e negociatave me BE-në për shkak të stagnimit të reformave në pothuajse të gjitha sferat dhe proceseve demokratike në vend.
"Çdo gjë që ndodhi në këtë fazë që ishte një fazë e vëzhgimit të thellë në Maqedoni është negative, duke filluar nga raporti I Komisioni duke filluar nga ajo që ndodhi në parlament, se ai Komision nuk mund të funksionojë dhe nuk do të ketë raport, duke u nisur nga ligjet e tjera të cilat tash do aprovohen në parlament të cilat janë në kundërshtim me kërkesat dhe sugjerimet e Bashkësisë Evropiane, duke u nisur nga raportet ndëretnike, duke filluar nga procesi i stagnimit apo embargos për hapjen e negociatave me Greqinë për statusin e emrit, gjithë këto gjëra janë ato segmente të cilat do të jenë në këtë rekomandim dhe do të jenë ajo peshë e rëndë e cila do të jetë negative.." tha Alajdin Demiri, analist.
Për Malinka Jordanovën nga Instituti për politikë evropiane, vendi jo vetëm që nuk tregoi kapacitet demokratik për të zgjidhur problemet për të cilat Brukseli vazhdimisht alarmoi autoritet e vendit, por e rëndoi akoma më shumë dosjen e Maqedonisë me ligjin për mediat si dhe mungesën së dialogut politik.
"Ne realisht rrezikojmë ta humbasim rekomandimin pasi edhe më tej mbërrijnë mesazhe të tilla. Një nga to ishte edhe kumtesa e BE-së ku theksoj qartë se ata nuk kërkojnë ligj për media dhe apelojnë që të merrem parasysh rekomandimet që jepen. Pra nuk ka gatishmëri për t'i dëgjuar mesazhet që vijnë edhe nga brenda edhe nga jashtë, dhe gjithë punët merren me inat. Në kushte kur nuk duhet as zgjidhja e çështjes së emrit edhe pse paralajmëron nisma të reja. Nuk mund të jemi optimist në këtë periudhë përpara publikimit të raportit" pohoi Malinka Jordanova, Instituti për politikë evropiane.
Analistët theksojnë se skenar më i errët për Maqedoninë do të ishte humbja e rekomandimit për fillimin e negociatave, pasi kjo do shkaktonte zhgënjim të thellë jo vetëm tek opinioni i brendshëm por do të ishte porosi negative edhe ndaj faktorit ndërkombëtar e në veçanti bashkësisë ekonomike në botë. Megjithatë sipas tyre nëse Maqedoni edhe më tej vazhdon të stagnojnë në përmbushjen e obligimeve në të gjitha sferat që parashikohen në kushtet e BE-së, atëherë nuk do të vononte madje dita kur vendi do të humbte edhe statusin e vendit kandidat. Semra Jakupi