Hallall, standard nacional në Maqedoni?

  • 9 years ago
Hallalli nga standard fetar do të bëhet standard nacional në Maqedoni paralajmërojnë nga Ministria e Ekonomisë. Janë duke u shqyrtuar dy mënyra se si të realizohet kjo. Së pari Ministrisë së Ekonomisë, do ti propozoj Institutit për standardizim të Maqedonisë që ta ngritë Hallallin si standard nacional të Maqedonisë. Opsioni i dytë është Komiteti Evropian për standardizim ta miratojë Hallallin si standard evropian, gjegjësisht të miratohet specifikimi teknik, pas çka Maqedonia, këtë dokument do ta pranojë si standard të saj nacional. Për të dyja standardet nevojitet kohë e njëjtë -- nga një deri dy vjet. Sipas ministrit Saraçini, standardi Hallall është pjesë e programit qeveritar.

"Ne kemi diskutuar disa herë në lidhje me atë që sertifikimi i standardeve hallall të jetë në një trup nacional i do të koordinojë dhe kontrollojë punën teknike për dhënien e sertifikatave hallall. Në nivel republikan ne kemi biseduar disa herë me komitetet e ndryshme që kemi në kuadër të Qeverisë dhe unë besoj që në një periudhë të shkurtër, ndoshta deri në fund të vitit ne të bëjmë një listë të standardeve ndërkombëtare që do ti mbrojmë me ligj, me qëllim që tu japim kusht, detyrë dhe obligim kompanive që ti implementojnë këto standarde me një qëllim të vetëm. Qëllimi është që të rritet eksporti i tyre në vendet ku deri tani nuk kanë eksportuar", tha Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.

Në Stamboll të Turqisë në muajin shtator do të mbahet takimi i parë i komitetit të posaçëm teknik ku do të fillojë të përpilohet dokumenti, gjegjësisht specifikimi teknik për Hallallin evropian.

"Hallalli në nivel ndërkombëtar ende nuk është miratuar. Në Evropë ka komitet teknik ku ende janë duke debatuar nëse hallallin ta bëjnë standard evropian", deklaroi Lupço Davçev, drejtor i Institutit për standardizim të RM-së.

Ndryshe, pas debateve të gjata dhe për shkak të kundërshtimit të Gjermanisë dhe Francës është kontraktuar që Hallalli të mos jetë në nivel të standardit, por në nivel më të ulët, si specifikim, që të lihet mundësia secili vend në mënyrë individuale të vendosë nëse do të jetë ose jo standard nacional. Me këtë Hallalli, nga standard i pastër fetare do të kalojë në standard ekonomik dhe kjo ka të bëjë me tregun gjithnjë e më të madh botëror i cili në nivel vjetor vlerësohet se peshon mbi 800 miliardë dollarë me tendencë të rritjes së mëtejme. Goran Temenugov