Letra e Gjunkshit: Pse nuk jam dakord me tjetërsimin e SHQUP

  • 9 years ago
TIRANË - Televizioni "A1 Report" ka mundur të zbulojë letërkëmbimin mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku njëra palë kërkon firmosjen e dokumentacionit, që Shtëpia Qendrore e Ushtrisë të kalojë në varësi të Ministrisë së Brendshme, me qëllim që kjo pronë të nxirret nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes së Forcave të Armatosura.

Por kjo është mohuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi, i cili ka shpjeguar dhe arsyet. Konkretisht, të dy shkresat mbajnë datën 14 gusht 2013. Fillimisht, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ervin Kulluri, i ka kërkuar Gjeneral Gjunkshit prononcimin e tij për heqjen e SHQUP-it nga pronat e Ushtrisë.

Në po të njëjtën ditë, Ministria e Mbrojtjes ka marrë dhe përgjigjen refuzuese. Në shkresë-përgjigjen me numër protokolli 6183/1, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjunkshi argumenton se: në dokumentin e Rishikimit Strategjik, të miratuar nga qeveria më 3 prill 2013, është vlerësuar ekskluzivisht, që SHQUP-i të mbahet si një ndër tri asetet themelore të burimeve të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.

Argumenti tjetër i Gjunkshit për të mos firmosur është edhe fakti se, sipas tij, në këtë qendër zhvillohen periodikisht aktivitete të nivelit të lartë në kuadër të NATO-s dhe partnerëve tanë, pasi infrastruktura e ngritur lejon zhvillimin e këtyre aktiviteteve të cilësisë së lartë.

Në të njëjtën shkresë, një tjetër arsye që Shefi i Shtabit i paraqet Ministrisë së Mbrojtjes, është fakti se, në këtë qendër zhvillohen aktivitete dhe kurse për fëmijët e ushtarakëve me fokus, fëmijët e ushtarakëve që janë jashtë vendit etj, si dhe është një institucion që u shërben brezave dhe traditës.

Më tej, gjeneral Gjunkshi, në kundërshtinë e tij për të ndërruar destinacionin e SHQUP-it, shkruan në përgjigje, se vlerësimi ynë është që për vetë pozicionin dhe infrastrukturën, kjo qendër ka shërbyer edhe gjykojmë se duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen si një institucion prestigjioz për aktivitete e ceremoni protokollare, jo vetëm të Forcave të Armatosura, por edhe të shtetit.

"Në përmbledhje të vlerësimeve të bëra për këtë pronë prononcohemi se nuk jemi dakord për tjetërsimin e saj dhe nxjerrjen nga lista e Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura", përfundon letra e Gjunkshit, drejtuar Ervin Kullurit.

Recommended