RENEA në hyrje të Lazaratit, por nuk ndalen botet me ujë

  • 9 years ago
GJIROKASTER - Qyteti i Gjirokastrës dhe hyrja e fshatit Lazarat, ku hektarë të tërë janë të mbjella me kanabis sativa, janë blinduar nga policia dhe forcat speciale RENEA, të para në këtë qytet pas një viti.

A1 Report transmeton pamje ku duken forcat RENEA që kanë ngritur postblloqet dhe patrullimet, që në orët e mëngjesit të sotëm.

Operacioni në mbështetje të uniformave blu të qytetit, në kuadër të aksionit antikanabis që pritet të startojë mjaft shpejt në terren.

Rreth 27 forca të këtij reparti special, ndodhen në Gjirokastër prej natës së mbrëmshme dhe sot kanë filluar patrullimin në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë.

Një postbllok i përbërë nga forcat policore lokale dhe ato speciale të RENEA-s është instaluar në orët e para të ditës së sotme, (15 gusht), pranë ish-fabrikës së miellit, rreth 2 km larg hyrjes së Lazaratit.

Burime zyrtare policore, kanë konfirmuar për A1 Report, se postblloqet do të jenë të lëvizshme, në varësi të situatave dhe më i afërti me Lazaratin, do të jetë pranë hyrjes së tij. Ndërkaq po patrollohet dhe aksi nacional Gjirokastër-Kakavije.

Qëllimi ka qenë që të ndalohen të hyjnë në fshat të dhjetëra mëditësve, të cilët në kushtet e mungesës së furgonëve të linjave Lazarat-Gjirokastër, kanë shkuar me këmbë deri në afërsi të fshatit, por që janë ndaluar më pas nga policia.

Por vetëm patrullime. Policia duket se është e paaftë të bllokojë botet me ujë dhe kamionët me depozita të mbushura me ujë e pleh, të cilat shkojnë në Lazarat. Pamjet e A1 Report tregojnë se pak metra larg rrugës nacionale kamionët të mbushen me ujë në një pus apo linjë ujësjellësi.

Një kamion me mijëra litra ujë u nis sot në mëngjes drejt Lazaratit, ndërsa një tjetër ndodhen aty, duke u mbushur, ose në pritje për t'u nisur. Policia gjatë ditës së djeshme, deklaroi se ka shkatërruar një tjetër impjant në të dalë të Lazaratit, por një tjetër ende funksionon dhe mbush me ujë botet që shkojnë pa u shqetësuar nga policia drejt fshatit.

Recommended