Serbia nuk lëshon pe për bllokimin

  • 9 years ago
Serbia dhe Maqedonia gjenden në prag të "luftës" tregtare. Nëse Maqedonia deri nesër nuk e tërheq masën për import të kufizuar të grurit dhe miellit, nga ministria serbe e tregtisë së brendshme dhe të jashtme thonë se edhe ata do dalin me masa reciprociteti për prodhimet maqedonase. Në një deklaratë për Alsat-M, nga ministria serbe thonë se nëse nuk tërhiqet masa deri nesër, atëherë të premten autoritetet serbe do të dalin me masa konkrete për kontestin mes dy vendeve. Deri tani nga ministria e bujqësisë e Maqedonisë nuk ka informata zyrtare për paralajmërimet serbe. Para një kohe zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Georgiev deklaroi se masa do të hiqet atëherë kur për këtë të krijohen kushte në treg, por pa precizuar kur mund të pritet një gjë e tillë. Siç mëson Alsat -M, mundësitë për tërheqjen e kësaj mase preventive janë të vogla pasi nuk janë blerë 40% e grurit vendorë. Ky problem mes Maqedonisë dhe Serbisë thuajse paraqitet çdo vit. Këtë vit rreth këtij problemi u mbajt një takim i anëtarëve të CEFTA-s pas së cilit edhe Maqedonia edhe Serbia dolën të kënaqura, por me qëndrime të kundërta. Maqedonia theksoi se nuk i është dhënë asnjë afat për tërheqjen e kësaj mase, ndërsa Serbia pohonte të kundërtën, gjegjësisht se masa duhet të tërhiqet për një muaj, afati ky që skadon nesër. Një pjesë e bujqve mbeten në kërkesën që qeveria të miratojë masën për blerjen e rreth 10 mijë tonelatave grurë, që sipas tyre, për momentin është shpëtim i vetëm për të korrurat e sivjetshme. Natasha Stojanovska

Recommended