Mungesa e ligjeve në gjuhën shqipe në ueb-faqen e Ministrisë së Drejtësisë, për të cilën kishte informuar Alsat është korrigjuar bashkë me gabimet e shumta drejtshkrimore në versionin shqip të ueb-faqes zyrtare të ministrisë. Ministri Blerim Bexheti njofton se tashmë përkthimet e ligjeve janë marrë nga Kuvendi dhe janë publikuar në ueb-faqe, me çka është përmbushur obligimi i ligjor.
"Implementimi i normativës ligjore ndonjëherë has edhe në mangësi teknike, siç ndodhi me ueb-faqen e Ministrisë së Drejtësisë, për çka kontribut dhanë mediumet, posaçërisht dua të falënderoj edhe televizionin e juaj i cili dha mundësinë që të jetë një korrektor dhe në të përmirësojmë dhe të evitojmë këtë mangësi teknike. Me gjithë atë që të jemi sa më afër qytetarëve, në shërbim sa më cilësor afër qytetarëve që të jenë të informuar", Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.
Deri tani qytetarët shqiptarë nuk mund ti gjenin në gjuhën shqipe ligjet e miratuara dhe ata që gjendjen në procedurë parlamentare. Përkthimet e ligjeve në gjuhën shqipe nuk publikoheshin në formë 'on-lajn' nga Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi. Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë mënjanoi këtë lëshim, Kuvendi vazhdon të mos përfillë ligjin duke mos i publikuar tekstet ligjore në versionin shqip të ueb-faqes së tyre zyrtare. Për shkak të ndërprerjes së punës për pushimet verore, askush nga administrata e parlamentit nuk u prononcua në lidhje me këtë anashkalim. Benjamin Arifi
Comments