Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të shënuar 12 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Ahmeti sot në Tetovë përuroi fillimin e punimeve për ndërtimin e centralit për prodhimin e energjisë elektrike. Ahmeti tha se përvjetorët e ardhshëm të MO-së do të shënohen me hapjen e fabrikave të cilat sigurojnë vende të reja pune, pasi sipas tij problemet e shqiptarëve në vend nuk zgjidhen vetëm me ndryshimin e statusit politik e juridik.
"Sot e 12 vjet me radhë kemi bë akademi kemi bë simpoziume e përkujtime, po ashtu edhe sot funksionarë të lartë kryetarë komunash kanë bërë përkujtime e debat për marrëveshjen e Ohrit -- por këtë vit me rastin e 12 vjetorit do aplikohet edhe një mënyrë tjetër me këtë rast, investimet, sepse vetëm më ndryshimin e statusit politik e juridik nuk zgjidhen të gjitha problemet për shqiptarët duhen investime , vende të reja pune, prandaj tash e tutje këtij evenimenti të gushtit do pasurohet edhe me evenimente të këtilla", tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Centrali për prodhimin e energjisë do përdor mbetjet e pulave nga ferma 'Vezë Sharri', mbetjet e vreshtarisë si dhe hirrën e djathit që do të merret nga qumështoret për rreth, dhe përmes prodhimit të biogazit do mundësohet prodhimi i energjisë elektrike.
"Me këtë investim me vlerë rreth pesë milion euro, nga plehu i pulave dhe mbeturat tjera do mundësohet prodhim prej një megavat rrymë elektrike në orë", tha Arben Abduramani, pronar.
"Kjo qendër e biogazit, edhe pse në Gjermani ekzistojnë rreth 8 000 të tilla, do jetë njëra ndër dhjetë më modernet që janë ndërtuar, dhe duke falënderuar qeverinë për mbështetjen që na jep, ftoj edhe investitorët tjerë nga Gjermania që të investojnë në Maqedoni", u shpreh Herman Semleer, investues gjerman.
Ministri i ekonomisë Valon Saraçini tha se me investime të këtilla, Maqedonia në të ardhmen do të bëhet lider në rajon për prodhimin e energjisë alternative'.
"Është investim shumë i rëndësishëm jo vetëm për komunën e Zhelinës por në përgjithësi për rajonin e Evropës dhe sistemin energjetik në Maqedoni, në fakt, bisedohet për një investim të parë të këtij lloji në Republikën e Maqedonisë, besoj se në të ardhmen investimet e këtilla vendin tonë do e bëjnë lider për prodhim të energjisë alternative", u shpreh Valon Saraqini, ministër i Ekonomisë.
Punimet për ndërtimin e centralit pritet të përfundojnë pas një viti e gjysmë kur edhe do të kyçet në sistemin energjetik të vendit. Bashkim Sulejmani
Comments