Në 12 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, funksionarët shqiptarë nderuan sot dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e rënë në konfliktin e vitit 2001. Përkundër paralajmërimeve nga banorët e Sllupçanit, se ministrat shqiptarë nuk janë të mirëseardhur në fshatin e tyre, nderimet filluan pikërisht në këtë fshat, tek varrezat e dëshmorëve. Por për dallim nga viti i kaluar kur bashkë me ministrin e atëhershëm të mbrojtjes Fatmir Besimi ishin përkulur edhe ushtarët e ARM-së, sot një praktikë të tillë nuk e vazhdoi ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi i cili erdhi i shoqëruar vetëm me anëtarë të kabinetit të tij.
Zv/kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit theksoi se përkulja para dëshmorëve në Sllupçan dhe vende të tjera po bëhet në emër të institucioneve të shtetit.
"Ne do ti kujtojmë në mënyrë institucionale, në emër të qeverisë, në emër të parlamentit, në emër të pushtetit lokal, të shoqatave, për arsye se këto dhanë atë më të shenjtën, jetën, që gjeneratat e ardhshme të jetojnë të lirë, të arsimuar, të përparuar dhe të integruar në popujt e civilizuar të Europës", tha Musa Xhaferi, zv/kryeministër.
Delegacioni i ministrave, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shqiptarë u përkulën edhe para dëshmorëve në fshatin Haraçinë.
Edhe kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi nderoi dëshmorët në fshatin Poroj dhe kompleksin e dëshmorëve në Tetovë.
"13 gushti është ditë e cila ndryshoi historinë tonë kombëtare si shqiptarë në Maqedoni dhe gjithsesi se kjo është ditë kur ne i nderojmë të gjitha ata që bënë sakrificën për tu arritur disa vlera që për ne janë shumë të rëndësishme dhe kjo po ashtu është një obligim për ne për të vazhduar në frymën e kësaj marrëveshjeje, si frymë luftë për të krijuar një ardhmëri më të mirë për brezat e ri shqiptarë këtu", deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Për dallim nga vitet tjera, partia shqiptare në pushtet BDI këtë vit nuk ka organizuar pritje për faktorin politik, korin diplomatik dhe mysafirë tjerë për të shënuar përvjetorin e 12 të Marrëveshjes së Ohrit. Benjamin Arifi
Comments