Berisha sulmon Shqiptarja.com e A1 Report! Gjobë fshehurazi

  • 9 years ago
TIRANE - Vazhdojnë sulmet e Sali Berishës kundër shtypit të lirë. Në shënjestër të tij përsëri është vënë grupi mediatik i Shqiptarja.com dhe A1Report, këtë herë i goditur përmes një veprimi arbitrar dhe ilegal nga Drejtoria e Tatimeve, që ka bllokuar një llogari bankare të grupit tonë për të marrë pagesën e një gjobe të vendosur në mënyrë të fshehtë.

Plani i Berishës kishte nisur në muajin Maj, dy muaj para zgjedhjeve, në të njëjtat ditë, kur një gjykatës i Gjykatës së Tiranës, në bazë të një urdhëri politik, dënonte Karlo Bolinon me pagesën e 75 mijë eurove për një shkrim që nuk e kishte shkruar ai. Ashtu si Bolino u precoseua për gati një vit pa u informuar per gjyqin, dhe vendimi i dënimit u lexua në sallë pa praninë e avokatit, në të njëjtën mënyrë policia tatimore ka vendosur një gjobë prej 275.000 lekë të reja grupit editorial, pa informuar askënd. Keshtu duke lënë të kalojë e skadojë koha për të bërë apelim. Para disa ditesh drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë një urdhër bllokimi të një llogarie bankare të grupit, për të marrë me detyrim, vlerën e gjobës se fshehte.

Neni 32, 69 dhe 89 te ligji Nr.9920, datë 19.05.2008 për "Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" përcaktojnë në mënyrë të qartë që çdo sanksion administrativ marrë nga Tatimet duhet të dorëzohet me postë rakomande tatimpaguesit që në këtë mënyrë ka mundësinë të apelojë për të korrigjuar gabime të mundshme, mundësi që grupit tonë editorial i është mohuar qëllimisht.

Metoda e gjobave të fshehta, pa mundësi apelimi, aplikohet nga tatimet e Berishës prej shumë vitesh kundër qindra e qindra biznesmenëve që nuk kanë qenë brenda klanit të tij ose kundër atyre mediave të pavarura nga Qeveria.

Drejtuesit e Shqiptarja.com dhe A1Report e cilësojnë këtë gjobë "si të disatën hakmarrje primitive të Sali Berishës dhe klanit të tij, që edhe pse kanë kaluar 20 vite demokraci, nuk ka mësuar akomë të respektojë lirinë e kujt mendon ndryshe prej tyre".

Preteksti i gjobës prej 275.000 lekë te vendosur nga policia tatimore ishte emri i grupit mediatik të vendosur në një nga makinat në përdorim të punonjësve tanë.