Festivali "Këngë jeho", fillon me probleme financiare

  • 9 years ago
Filloi mbrëmë në Strugë edicioni i 22-të i Festivalit të këngës dhe valles 'Këngë Jeho'. Programi i natës së parë u hap me paraqitjen e SHKA "Jehona" nga Koroshishti-Strugë dhe vazhdoi me performimin e SHKA "Karshiaka"-Shkup; Ansambli "Kaltërsia"-Tiranë dhe "Zëri i Kosovës" nga Kosova. Edhe këtë vit ky festival po përballet me problemet e njëjta financiare që e kanë përcjellë edhe gjatë 22 viteve të kaluara. Drejtori i festivalit Zini Jusufi apeloi për mbështetje institucionale.

"Tani më ka ardhur koha që ky festival më mos bjerë në vesh të shurdhër. I bëj me dije të gjith opinionit që këtë festival ta mbështesim fuqishëm,që të jetë në kanalet shtetërore,sic janë festivalet e tjera,sic është mbrëmjet verore,ose siç janë shoqërit kulturo-artistike Taneci dhe të tjera. Pra dëshiroj që ky festival që jetë në ombrellë të Ministrisë së Kulturës. U bëj apel të gjithë atyre politikanëve që festivalin ta ndihmojnë dhe ta përkrahin fuqishëm", tha Zini Jusufi, drejtor i festivalit "Këngë Jeho".

Të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Komunës Ziadin Sela, i cili vlerësoi se rezistenca e festivalit ndaj institucioneve në fillimet e tij tani është shndërruar në rezistencë të institucioneve ndaj festivalit.

"Më mirë për gjendjen e një populli flet kultura e tij,sesa ai popull arrin të ketë manifestime kulturore. Fatkeqësisht në këto 22 vite ky festival nuk arriti të institucionalizohet. Ishte rezistenca ndaj institucioneve para 22 vjetësh kur u themelua,ndërsa tani është shndërruar në rezistencë të institucioneve ndaj këtij festivali. Ngelet që të bëjmë shumë për këtë festival. Unë po ju them se nga viti në vit,do bëj ç'mos,që ky festival të jetë dinjitoz,sepse ky popull dhe Shqiptarët në Maqedoni kanë dinjitet dhe këtë dinë ta shprehin nëpërmjet kulturës së tyre", u shpreh Ziadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës.

Festivali "Këngë Jeho" si çdo vit, ashtu edhe sivjet ka bashkuar artistët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi dhe për herë të parë do bashkohen edhe shqiptarët e Amerikës,të cilët do të performojnë në natën e dytë. Programi i pasur artistik u përmbyll me parakalimin e shoqërive pjesëmarrëse rrugëve të qytetit, që u ndoq me interes të veçantë nga struganët dhe turistët. Durim Etemi

Recommended