Vritet 26 vjeçari nga Buteli i Shkupi

  • 9 years ago
Vrasja e 26 vjeçarit Xhemalejdin M ka tronditur mëngjesin e sotëm banorët e rrethinës së Butelit. Viktima është gjetur i ekzekutuar në rrugën që lidh Butelin me fshatin Mirkovcë, më saktë, në rrugën e kalldërmave pas varrezave të Butelit.

"Në këtë rrugë në orët e hershme të mëngjesit u shua jeta e 26 vjeçarit Xhemalejdin nga Shkupi. Ende nuk dihen rrethanat dhe motivet e vrasjes, e as autorët e kësaj vrasjeje makabër"

Trupin e pajetë të Xhemalejdinit e ka gjetur një grua 27 vjeçare dhe menjëherë ka denoncuar rastin në polici. Në vendin e ngjarjes policia ka mbledhur gëzhoja plumbi dhe shenja të gjakut.

"Më 11 gusht në kohë ende të panjohur në rrugën "Aleksandar Urdarevski", në rrugën që lidh lagjen e Butelit me fshatin Mirkovc, është vrarë Xhemalejdin M. nga Shkupi, nga autor i panjohur me pistoletë. Xhemalejdini ka marrë plagë në kokë dhe pjesën e epërme të trupit. Trupi i tij është gjetur nga një grua 27 vjeçare nga fshati Bërnjancë, e cila ka denoncuar vrasjen në polici", thuhet nw komunikatën e policisw.

Trupi i të ekzekutuarit është marrë për ekspertizë, për të analizuar detajet e vrasjes. Besohet se plumbi në kokë ka qenë fatal për të riun. Policia nuk jep detaje rreth asaj se me kë ka kontaktuar Xhemalejdini natën e kobshme, nga kush është shoqëruar dhe as për motivet e mundshme për vrasjen e tij. Vrasje e sotshme në Butel është e dyta në vetëm tre ditë, pasi në ditën e festës së Bajramit, në Çair u gjet i vrarë 65 vjeçari Nikolla M., i cili besohet të jetë vrarë në një zënkë familjare për pronë. Benjamin Arifi

Recommended