Anketë, Zaev i afrohet Gruevskit

  • 9 years ago
Kryetari i ri LSDM-së, Zoran Zaev dukshëm ka përmirësuar imazhin e kësaj partie politike dhe po tejkalon me sukses disa paragjykime të cilat vite me radhë kanë qenë pasqyrë e keqe për LSDM-në. Kështu vlerësohet në anketën e re të agjencisë 'Rejting' të porositur nga javorja 'FOKUS' me temë 'Si i vlerëson opinioni ndryshimet në LSDM pas kongresit të fundit të kësaj partie? Në pyetjen 'Çfarë mendojnë qytetarët për kryetarin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe çfarë për atë të LSDM-së Zoran Zaev; 53.8 për qind e qytetarëve kanë mendim pozitiv për Gruevskin kurse 49 për qind prej tyre kanë të njëjtin mendim për Zaevin e LSDM-së. Ndërkohë, opinion negativ për Gruevskin kanë shprehur 42.4 për qind e qytetarëve, ndërsa për Zaevin 35.9 për qind e të anketuarve. Por, për kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev 14.5 për qind e të anketuarve ende nuk kanë as mendim pozitiv e as negativ, që do të thotë se varësisht se si do të angazhohet lideri i partisë më të madhe në opozitë, do të kyçen drejt njërës apo partisë tjetër politike. Ndërkohë qytetarët e anketuar u përgjigjën edhe në pyetjet se vallë Zoran Zaev ose Nikolla Gruevski nga pozita e kryeministrit do udhëhiqte ekonominë maqedonase më mirë, se cili më me sukses do të mbante të qëndrueshme marrëdhëniet ndëretnike, cili do të luftojë krimin dhe korrupsionin më mirë, kush prej këtyre të dyve më shpejt do të shpie vendin në NATO dhe BE dhe cili mund të sigurojë nivel më të lartë të demokracisë? Zaevi i LSDM-së nga përgjigjet e marra shënon epërsi vetëm tek pyetja 'kush më shpejt do të shpie vendin në NATO dhe BE' ndërkohë qytetarët në pyetjet e tjera thuajse kanë dhënë të njëjtin vlerësim për të dy liderët, atë të LSDM-së, Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së, Gruevski. Analiza e përgjigjeve në pyetjet e lartpërmendura sipas strukturës etnike tregon se shqiptarët në Maqedoni, vlerësojnë se Zoran Zaev do të jetë një kryeministër më i mirë se Nikolla Gruevski. Valmir Kuçi

Recommended