Skip to playerSkip to main contentSkip to footer
  • 10 years ago
Ministria e shëndetësisë ka prezantuar sot projektin ideor të Qendrës së klinikave "Nënë Tereza" që pritet të nisë të ndërtohet gjatë vitit 2014. Ministri Nikolla Todorov tha se investimi në fjalë kap shumën e rreth 70 milion eurove, fonde të cilat janë siguruara nga BE-ja. Siç bëri të ditur Todorov, qendra e klinikave do të vendoset në hapësirën ku për momentin gjendet gjinekologjia, për t'u lidhur më pas me klinikat e tjera që do të bëhen pjesë të qendrës së klinikave. Qendra e klinikave ndahet në dy pjesë, objekti kryesor dhe laboratorët, të cilët do të jenë të lidhur me njëri-tjetrin.

"Ajo që është përparësi gjatë nisjes së punimeve ndërtuese është se nuk ka nevojë për zhvendosje të reparteve të caktuara ose zbrazjen e disave pre tyre, për shkak se Klinika do të vendoset në hapësirën ku për momentin gjendet gjinekologjia e vjetër. Pra, do të rrënohet vetëm gjinekologjia e vjetër ndërsa më pas do të lidhet, nga ana e majtë me klinikën e Kirurgjisë, nga ana e djathtë me klinikën e Gjinekologjisë dhe nga ana e prapme me klinikën e Onkologjisë", tha Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.

Sipas Todorovit, me rëndësi është që projekti i ri parashikon ndalimin e qarkullimit të makinave brenda qendrës së Klinikave, përveç atyre të ndihmës së shpejtë. Për këtë qëllim do të ndërtohet një garazh dy katëshe me hapësirë për 1250 makina.

"Ajo që është më rëndësi dhe risi në këtë projekt është se do të pamundësohet qarkullimi i makinave përbrenda kompleksit. Kjo do të arrihet me ndërtimin e garazheve në kate, njëra në bulevardin "Nënë Tereza" dhe tjetra përballë Klinikës për Sëmundje Infektive prej ku, vizitorët dhe personeli mjekësor do të vazhdojnë në këmbë drejt destinacionit të planifikuar... por kuptohet nëpër rrugë këmbësore të mbuluara", shprehet Nikolla Todorov, ministër i shëndetësisë.

Në qendrën e re të klinikave "Nënë Tereza" do të përfshihen klinikat e toksikologjisë, reumatologjisë, radiologjisë, kardiologjisë, nefrologjisë, kirurgjisë së fëmijëve dhe shumë të tjera. Gjithashtu, Qendra e re e Klinikave parashikon edhe heliodrom, pistë për uljen e helikopterëve, e cila do të jetë e lidhur drejtpërdrejt me qendrën e urgjencës dhe bllokun e ndërhyrjeve kirurgjikale. Punimet ndërtuese pritet të përfundojnë brenda tre vitesh. Melihate Rustemi

Category

📺
TV

Recommended